Kosovë, nesër Kuvendi rezolutë për fundin e mbikëqyrjes

Kuvendi i Kosovës, pritet që të martën, më 31 janar, të miratojë një rezolutë me anë të cilës do të zotohet për kryerjen e të gjitha pikave të pakos së Ahtisarit për t`i dhënë fund fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Rezoluta është propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së dhe momentalisht ka marrë mbështetje me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.
Të shtunën, kryeministri Hashim Thaçi ka biseduar me liderët e partive politike, përfshi edhe opozitën, përveç Vetëvendosjes, ku ka marrë mbështetjen për kryerjen e detyrimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, si parakusht i vendosur nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues për t`i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe kalimit në fazën e pavarësisë së plotë.