E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Rezoluta, “shpikje e Thaçit” për të mbuluar koncesionet me Serbinë

Lëvizja parlamentare Vetëvendosje, ka thënë se nuk mbështet projekt-rezolutën e propozuar nga PDK për fundin e pavarësisë së mbikqyrur, e cila pritet të votohet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit që do tëmbahet të martën.

Ky grup parlamentar ka deklaruar se është për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, por ka kundërshtuar rezolutën.

“Pika më problematike e tekstit të propozuar përmes kësaj resolute është ajo që kërkon nga Kuvendi të zotohet se do të përmbushë të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, ndërkohë që vetë Rezoluta nuk saktëson se cilat janë këto detyrime. Në këtë mënyrë kërkohet nga Kuvendi që të zotohet për një proces me shumë të panjohura dhe shumë rreziqe. Kjo madje, është dhe formë jo demokratike e të votuarit, sepse kërkohet nga deputetët të zotohen se do të votojnë në favor të ligjeve për të cilat nuk e dinë se çfarë përmbajnë”, thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj lëvizjeje.

“Kohëve të fundit janë shtuar zërat për një zgjidhje politike për veriun e vendit. Madje është deklaruar qartë se procesi i përmbylljes së mbikëqyrjes është i lidhur ngushtë me veriun e Kosovës. Për më tepër kjo përmbyllje është e lidhur ngushtë edhe me procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë që po ndodh në Bruksel. Konsensusi në të cilin po insistohet këto ditë, dhe me këtë rezolutë, është konsensus për këto dy çështje”-thuhet gjithashtu.

“Kjo rezolutë është një tentim i hapur i qeverisë së Thaçit për të mbuluar koncesionet që ai është gati t`i bëjë në negociatat me Serbinë, që kështu të kontrabandohet statusi i veçantë për veriun e vendit si çmim për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, përfundon Lëvizja Vetëvendosje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›