Kosovë, nis heqja e pjesshme e barrikadave në veri

Në veriun e Kosovës ka filluar zhbllokimi i pjesshëm i rrugëve. Në komunën e Leposaviçit, gjatë natës së të mërkurës janë larguar mjetet e rënda që ishin vendosur në rrugën që çon në njërin nga vendkalimet kufitare me Serbinë. Ndërkaq edhe më tej mbetet bllokada e vendosur në fshatin Rudarë, në komunën e Zveçanit. Largimi i pjesshëm i bllokadave, pasoi një takim të përfaqësuesve politikë lokal të serbëve në veri, të cilët nuk arritën të merren vesh për zbatimin e marrëveshjes së arritur të premten e kaluar ndërmjet KFOR-it, qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës. Kjo marrëveshje nënkuptonte në radhë të parë largimin e bllokadave të vëna dy javë më parë nga serbët në veri në kundërshtim të synimeve të qeverisë së Kosovës për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare më Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe. Autoritetet e sigurisë thanë se gjendja në veri është e qetë, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të respektojnë marrëveshjen. Por përfaqësuesit ë serbëve që po mbajnë bllokadën në fshatin Rudarë, thanë se marrëveshja është në kundërshtim me interesat e serbëve dhe barrikadat e vendosura atje nuk do të largohen përderisa gjendja në vendkalimet kufitare me Serbinë nuk kthehet në situatën e para 25 korrikut. Kjo kërkesë u hodh poshtë sot sërish nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i cili tha se qeveria e tij do të respektojë në tërësi marrëveshjen e mirëkuptimit me KFOR-in. Kryeministri Thaçi tha se vënia nën kontroll e vendkalimeve kufitare me Serbinë, i ka dhënë kuptim pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës por edhe ardhmërisë së saj evropiane që është aspiratë e të gjitha vendeve të rajonit. Qetësia u rivendos në veri me një marrëveshje mirëkuptimi të arritur nga KFOR-i me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe ata të Serbisë. Më 25 korrik qeveria e Kosovës filloi një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe në funksion të zbatimit të vendimit për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës.