Kosovë, nis rivotimi në Prizren dhe Lipjan
Në komunën e Prizrenit dhe Lipjanit, në orën shtatë të mëngjesit të së dielës, janë hapur qendrat e votimit, ku rivotohet për të tretën herë për pushtetin lokal. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fehmi Ajvazi, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se në Prizren janë hapur 60 qendra të votimit, kurse në Lipjan 26. Ai, gjithashtu tha se procesi i votimit po zhvillohet pa probleme. Të drejtë vote në të dy komunat kanë 185.933 votues, ndërsa procesin zgjedhor do ta vëzhgojnë 2.811 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Në Prizren garojnë Ramadan Muja i PDK-së dhe Hanefi Muharremi i LDK-së, ndërkaq, në garën për Lipjanin garojnë Shukri Buja nga PDK dhe Imri Ahmeti nga LDK. pra, në dy komunat e Kosovës, në Prizren dhe Lipjan po zhvillohet raundi i tretë i zgjedhjeve lokale. Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Prizren dhe Lipjan, janë angazhuar 800 zyrtarë policorë.