E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, rikthehen radhët e gjata në pikat kufitare

Ardhja e emigrantëve në atdhe për të kaluar pushimet verore ka rikthyer radhët e gjata në pikat doganore që lidhin vendin tonë me shtetet fqinj.
Vetëm orët e fundit në Shqipëri kanë hyrë të paktën 50 mijë shtetas, shqiptarë dhe të huaj, ndërkohë që pika më problematike paraqitet ajo e Kakavijës.
Fillimisht në pjesën e kufirit grek janë vënë në funksionim vetëm dy sportele për përpunimin e të dhënave të shtetasve që kalojnë drejt Shqipërisë. Kjo ka sjellë krijimin e radhëve në territorin helen, që gjate paradites kanë shkuar deri në 5 kilometra të gjata. Ndërsa pala shqiptare i është përgjigjur me tjetër ritëm fluksit të madh të emigrantëve.
Ndërkohë në pikën doganore të Kapshticës, situata ka qenë disi më pak problematike, pasi janë marrë masa që fluksi të përballohej pa krijuar probleme. Gjatë orëve të pasdites janë vënë në punë të gjitha sportelet shqiptare, dhe pala greke ka shtuar numrin e tyre.
Në ditën e dytë të muajit gusht një situatë kaotike është krijuar në pikën kufitare të Qafëbotës, duke krijuar radhë të gjata njerëzish e automjetesh, të ngjashme me ato që janë të zakonshme në pikën kufitare të Kakavijës.
Shkak është bërë paralizimi i rrjetit kompjuterik. Kjo ka qenë arsyeja që pikëkalimi kufitar i Qafëbotës, si rrallë ndonjëherë, ka qenë i mërzitshëm dhe me pritje të pazakontë për disa qindra kalimtarët e të dyja anëve të kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›