E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen emigrantët për pushime, fluks në doganat e jugut

KAKAVIJË- Pushimet e verës kanë shtuar fluksin e emigrantëve që hyjnë për në atdhe në pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Radhë dhe pritje në dogana për shkak të dyndjes së menjëhershme të mijëra emigrantëve që udhëtojnë me qindra automjete, në pritje për të hyrë në territorin shqiptar.
Sipas të dhënave të fundit, mbi 8 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Greqi, kanë hyrë gjatë 12 orëve të fundit përmes dy pikave kufitare të qarkut të Gjirokastrës, Kakavije, (25 kilometra larg Gjirokastrës) dhe "Tre Urat", rreth 20 kilometra larg qytetit të Përmetit.
Burime zyrtar nga Drejtoria e Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës pohuan se pavarësisht fluksit të madh të emigrantëve, në të dyja anët e kufirit nuk janë evidentuar radhë të gjata pritjeje, kjo falë shtimit të sporteleve nga autoritetet doganore të dy vendeve.
"Akualisht, në dipozicion të emigrantëve funksionojnë 8 sportele në hyrje dhe tre në dalje nga ana shqiptare, ndërsa në doganën greke funksionojnë 7 sportele në dalje dhe 2 në hyrje", pohuan burime zyrtare.
Gjatë të njëjtit interval kohor, në territorin shqiptar përmes doganës së Kakavijës kanë hyrë 1400 automjete dhe 74 autobusë të linjës ndërkombëtare, ndërsa në vendkalimin kufitar të "Tre Urave" 287 automjete.
Ndërkohë, mësohet se drejtoria e policisë së qarkut të Gjirokastrës ka trefishuar numrin e postoblloqeve rrugore, gjë që ka ndikuar ndjeshëm në normalizimin e qarkullimit në aksin kombëtar Kakavije-Ballsh.
Numri i emigrantëve që ka mbërritur gjatë 12 orëve të fundit në atdhe, për të kaluar pushimet pranë të afërmëve të tyre, llogaritet të jetë më i madhi në këto ditë vere.
Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, krahas këtyre dy pikave të vendkalimit kufitar, funksionon dhe pika kufitare e Sopikut në komunën e Pogonit, rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, ku qarkullimi ndërkufitar lejohet vetëm për këmbësorët.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›