E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, partitë serbe nxisin daljen në zgjedhje

PRISHTINE- Shumica e partive politike serbe të Kosovës kundërshtojnë qëndrimin e Beogradit zyrtar që serbët të mos dalin në zgjedhjet e 15 nëntorit. Vlerësimet u bën në debatin e sotëm të organizuar nga Qendra Mediale, në Çagllavicë me temën “A duhet serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”.

Liderët e disa partive serbe që veprojnë në Kosovë nuk duan të dëgjojnë Beogradin zyrtar për të mos dalë në zgjedhjet lokale në Kosovë. Ata kritikojnë madje edhe deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë se po frikësojnë serbët, se nëse votojnë do të ndëshkohen edhe me largime nga puna.

Momcilo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes së Rezistencës Serbe, duke iu referuar deklaratave që vijnë nga Serbia, tha se tradhti është frikësimi i banorëve, e jo pjesëmarrja në zgjedhje.

“Tradhti për mua është që ta lësh popullin në konfuzion dhe në mëshirën e askujt. Nuk është në rregull të stimulosh zgjidhje të kota sepse me këtë në fund të fundit edhe komprometohen institucionet serbe që kanë bërë më së shumti që qytetarët serbë të mbesin në kushtet më të vështira për jetë”, ka thënë Momcilo Trajkoviq.
Sllavisa Petkoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe thotë se është për keqardhje që dëgjohen zëra kundër zgjedhjeve. Ai tha se e vetmja mënyrë që serbët të jetojnë mirë është qeverisja me vetveten.
“Kemi ardhur në një situatë që i vetmi dokument që na është ofruar tash e dhjetë vite në Kosovë, është plani i Ahtisarit. Kurse atë që e ka ofruar Prishtina, por edhe Beogradi janë disa institucione të dobëta që kanë menduar vetëm për vete, e jo për qytetarët”, ka theksuar Sllavisha Petkoviq

Ndërsa, i vetmi që kundërshtoi pjesëmarrjen në zgjedhje ishte përfaqësuesi i Këshillit Nacional Serb Dragan Veliq. Ai tha se nuk ka kushte që serbët të votojnë më 15 nëntor.
“Në këtë mënyrë pranojmë gjendjen e cila është që nga viti 1999, që do të thotë spastrim etnik i serbëve nga Kosova dhe për këtë arsye edhe nuk duhet të dalim në zgjedhje. Këtë ne nuk mund ta pranojmë”, ka thënë Dragan Veliq.
Ndryshe në një sondazh që është bërë me banorët e Graçanicës, në muajin nëntor, thuhet se 28 për qind e serbëve janë deklaruar se do të dalin në zgjedhje, 40 për qind nuk kanë asnjë qëndrim, kurse 30 për qind e tyre nuk mendojnë se do ta bëjnë këtë.
(m.a/rtk/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›