E Diel, 1 Nëntor 2026

Milloshoski pret Hysenin: Nga sot faqe e re mes dy vendeve

SHKUP – Takimi I Ministrave të Jashtëm të Kosovës e Maqedonisë ka shënuar një faqe të re në historinë e dy vendeve. Maqedonia dhe Kosova së shpejti do të emërojnë ambasadorët e tyre në Prishtinë dhe në Shkup, hap ky që hap një fazë e re në marrëdhëniet e ndërsjella mes dy vendeve. Këtë e deklaruan në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp nga Shkupi, shefat e diplomacive të të dyja vendeve Antonio Milloshoski dhe Skënder Hyseni.

"Takimi i sotëm do të hapë faqe të re cilësore midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës. Konsideroj se kjo do t'u shërbejë jo vetëm të dy vendeve, por edhe zhvillimit plotësues të stabilitetit dhe bashkëpunimit ekonomik në rajon", theksoi Milloshoski.

Ministri i Jashtëm maqedons tha se hapja e ambasadës më nuk është çështje e vullnetit politik, por çështje e protokolit dhe e kohës dhe pret që kjo procedurë të zgjasë dy deri tre muaj.

"Brenda një kohe të shkurtër RM-ja do të duhet që të miratojë fillimisht vendim për ngritjen e nivelit të Zyrës për lidhje në Kosovë në ambasadë dhe më pas pasojnë kunsultime me faktorët relevantë, duke përfshirë edhe presidentin e shtetit që të mund të shkojmë me nominimin e ambasadorit të parë të Maqedonisë në Prishtinë", sqaroi Milloshoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Ministri kosovar i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni vlerësoi partneriteti që do ndërtohet mes dy vendeve do të shërbejë si model për qasje pozitive në rajon.

"Bashkëpunimi i shkëlqyer midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës nuk duhet që të kuptohet ndryshe përveç se si angazhime pozitive të dy vendeve që synojnë drejt integrimeve euroatlantike", tha Hyseni.

Të dy ministrat theksuan se në takim është biseduar për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me ç'rast interes i veçantë është treguar për energjetikën, tregtinë dhe bashkëpunimin policor. Sa i përket politikës rajonale, nuk shpëtoi pa u përmendur as Serbia.

"Për fat të keq, jo të gjitha vendet e Ballkanit i dëshirojnë mirëseardhje Kosovës në struktura të ndryshme rajonale. Por shpresojmë se fqinji ynë Serbia do ta shqyrtojë së shpejti domosdoshmërinë e inkuadrimit edhe të Kosovës si shtet të pavarur për të mirën e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe për të mirën e perspektivave evropiane të Ballkanit", tha Hyseni

Milloshoski mes të tjerash u përqëndrua edhe në përfundimin e suksesshëm të demarkacionit të kufirit Maqedoni-Kosovë, vendim ky që zbuti marrdhëniet mes dy vendeve.

"Maqedonia është vendi i vetëm nga Sllovenia deri në Qipro i cili tërësisht i ka shënuar kufijtë e saj. Me këtë Maqedonia konfirmoi se është e gatshme të zgjidhë çdo çështje kur ka partner konstruktiv nga ana tjetër", tha Milloshoski.

Sipas shefit të diplomacisë kosovare, edhe pse disa familje ndjehen të dëmtuar, megjithatë, demarkacioni i zbatuar është një zgjidhje e mirë.

Hyseni, i cili qëndron për vizitë të parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, sot duhet të takohet edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski. Shefi i diplomacisë kosovare do të takohet edhe me nënkryetarin e Kuvendit Rafiz Haliti, si dhe me përfaqësuesit e partive parlamentare shqiptare.

(d.b/MIA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›