E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, qeveria nuk do të hartojë strategji të re për veriun

Kosova nuk do të hartojë një strategji të re për veriun, si shenjë përgjigjeje ndaj ftesës së Bashkimit Evropian për një axhendë gjithëpërfshirëse për këtë pjesë të banuar me serbë, por ajo që do të bëjë, është një qasje më ndryshe ekonomike. Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, Komisioni Europian nëpërmjet Raportit të Progresit ka kërkuar angazhim në aspekte ekonomike e sociale. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile ka përpiluar muajin e shkuar një udhërrëfyes për normalizimin e jetës dhe vendosjen e rendit, ligjit dhe demokratizimin në pjesën veriore të Kosovës. Misioni europian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka shprehur dilema nëse do të bëhen pjesë e mekanizmave për të implementuar strategjitë e Qeverisë, me të cilat synohet të integrohen serbët e kësaj pjese që prej 12 vjetësh zhvillojnë jetë paralele institucionale. Serbët lokalë, por edhe përfaqësues të Beogradit zyrtar, kanë kundërshtuar mundësinë që ata t’i përgjigjen kërkesës së Qeverisë për integrim. Ata kërkojnë zgjidhje që të gjendet dialogu politik midis autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, gjë e cila nga Prishtina zyrtare refuzohet. “Çdo zgjidhje që është e pranueshme për qeverinë e Serbisë, do të jetë e pranueshme edhe për serbët e Kosovës”, ka thënë sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë. Së fundmi janë përmendur shumë zgjidhje për pjesën veriore të Kosovës. Mbikëqyrësi i pavarësisë së Kosovës, kreu i ICO-s, Pieter Feith, ka përmendur një zgjidhje përtej asaj që parashikon Paketa e Ahtisaarit, duke propozuar një status të ngjashëm me atë që ka Katalonia në Spanjë. Ndërsa, presidentja Atifete Jahjaga ka përmendur një autonomi të karakterit komunal. Midis propozimeve që janë dhënë është edhe ai që kjo pjesë, përkohësisht të vihet nën administrimin e BE-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›