Dialogu, pritet zbatimi i marrëveshjeve për targat e automjeteve
Nëse iu dalin të sakta prognozat e kryenegociatores së Kosovës, Edita Tahiri dhe të ashtuquajturit ministër për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, atëherë nga 1 nëntori i këtij viti, qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë do të mund të lëvizin lirshëm nga njëri vend në tjetrin.
Tahiri është e bindur se duke filluar nga data 1 nëntor i këtij viti, do të dalin nga përdorimi edhe të gjitha targat e automjeteve ilegale serbe që përdoren në Kosovë.
Marrëveshja për lëvizje të lirë, sipas Tahirit, parashikon që në Serbi të kalohet edhe me targa RKS edhe me KS, por sipas saj, zgjidhja do të jetë mbi parimin e reciprocitetit, ku si targat e Serbisë ashtu edhe të Kosovës do të lëvizin në bazë të formulave që zbatohen ngjashëm mes atyre shteteve që nuk kanë raporte normale, siç është rasti Maqedoni-Greqi.
Sipas Tahirit, formula konkrete e propozuar edhe nga BE është që qytetarët të kalojnë kufirin me letërnjoftime, por për shkak të marrëdhënieve jo të mira politike, ata do të marrin edhe nga një letër shoqëruese për hyrje-dalje që do zbatohet nga të dyja anët.
Tahiri tha se pala serbe po paraqet pengesa duke e komplikuar situatën, mirëpo me presionin që po i bën BE, shpreson që edhe Beogradi të bëjë të njëjtën gjë.
Ndonëse zyrtarët serbë nuk e sqarojnë si do ta zbatojnë marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, gazeta “Zëri”, thekson se edhe Beogradi më 1 nëntor do të fillojë me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Një zyrtar serb në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës se Beogradi është rënë dakort që të lejojë hyrjen e automjeteve të Kosovës me targa të vjetra të UNMIK-ut- “KS”, e jo siç po pretendon Tahiri edhe me “RKS”.
“Dokumente të identifikimit do të pranohen vetëm letërnjoftimet, por jo edhe pasaportat”, tha ky zyrtar.
Nga ana tjetër, analistë të Prishtinës mendojnë se këtë Beogradi po e bën për shkak statusit të kandidatit për BE.
“Beogradi do ta bëjë këtë, por vetëm deri në muajin dhjetor, kohë kur do të votohet për Serbinë që të marrë statusin e kandidatit të BE-së”, tha analisti Behxhet Shala.