KFOR nesër do të heq barrikadat në veri të Kosovës

Barrikadat e vendosura në veri të Kosovës, mund të hiqen në fillim të javës. KFOR-i ka bërë të qartë se që prej të hënës, do të shfrytëzojë rrugët tokësore për të furnizuar trupat e saj ushtarake në pikat kufitare në veri të vendit.
Sipas një komunikate për media të KFOR-it, Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Dreës pas takimit me përfaqësuesit e veriut të Mitrovicës, Zvecanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit ka kërkuar që kalimi në rrugët e vendit të mos pengohet nga askush.
"Takimi është mbajtur në atmosferë shumë konstruktive. Të dy palët pranuan të drejtën e lirisë së lëvizjes për popullsinë e gjithashtu edhe për KFOR-in, EULEX-in dhe të tjerët. Megjithatë, nuk u arritën rezultate konkrete sa i përket largimit të barrikadave rrugore" thuhet në komunikatë.
Komandanti i KFOR-it i informoi përfaqësuesit e komunave të veriut se duke filluar nga dita e hënë, ai synon të fillojë furnizimin e trupave të KFOR-it nëpërmjet rrugëve në Portën 1 (Jarinje), Pikën 31 (Bernjak) dhe Kampin Nothing Hill dhe që të mos pengohet nga askush.
"Nëse popullsia lokale nuk ka pasur mundësinë e hapjes së bllokadave rrugore gjatë kësaj fundjave, atëherë KFOR do ta bëjë këtë të hënën në mënyrë paqësore, në mënyrë që të lehtësojë kalimin e autokolonës së automjeteve inxhinierike" përfundon deklarata.