E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, serbët e veriut reagojnë ndaj deklaratave të Kuçit

Kryetari ilegal i Mitrovicës, Kërstimir Pantiç, u ka kërkuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë që të paralajmërojnë autoritetet e Prishtinës kundër “çdo hapi të njëanshëm në veri të Kosovës”.

Ai ka thënë për agjensitë serbe se veprimet e tilla të Prishtinës, “mund të destabilizojnë situatën”.

Komentet e Pantiçit pasojnë ato të zëvendëskryeministrit kosovar, Hajredin Kuçi, i cili ka thënë se policia e Kosovës mund të ndërmarrë aksion të ngjashëm në veri, si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, kur njësia speciale Rosu është dërguar për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri.

“Njoftimi i Hajredin Kuçit se Ministria e Brendshme e të ashtuquajturës Republikë të Kosovës do të dërgojë njësi speciale në veri, është një tjetër kërcënim me armë, ashtu si dhe përpjekje për të provokuar konflikte si ato të korrikut të vitit të kaluar”, ka thënë Pantiç.

Në anën tjetër, kryetari i paligjshëm i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiç, ka thënë se Kuçi kërcënon për të frikësuar serbët dhe për t`i detyruar ata të braktisin Kosovën.

Duke u drejtuar përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe atyre të komunitetit ndërkombëtar, Ristiç ka thënë se ata nuk mund t`i dëbojnë serbët.

Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviç, deklaratat e Kuçit janë sinjal për, “organizatat terroriste shqiptare” që çështjet e pazgjidhura t`i zgjidhin me dhunë ndaj serbëve.

Ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit kosovar ka reaguar edhe sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviç, i cili ka thënë se aksionet e policisë kosovare në veri do të paraqisnin një “aventurë të rrezikshme”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›