E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, serbët e veriut votojnë edhe në nivelin lokal

Votimet presidenciale dhe parlamentare serbe në veri të Kosovës kanë filluar kryesisht me kohë dhe nuk ka pasur ndonjë incident, apo parregullsi.

Në veri të Mitrovicës ato janë duke u zhvilluar në shkollën e mesme teknike “Mihajlo Petrovic Alas” dhe në shkollën fillore “Shën Sava”.

Burime të Kosovapressit nga veriu bëjnë të ditur se në Zveçan qytetarët kanë filluar të votojnë edhe në nivelin lokal.

Sipas këtyre burimeve, këto zgjedhje janë duke u mbajtur në objektin e shkollës së mesme në Zveçan, pastaj në vilën “Jelen” në Zherovnicë, si dhe në një shtëpi private në fshatin Rudare.

“Në rast të identifikimit nga ana e ndërkombëtarëve të këtyre vendeve, zgjedhjet lokale do të vazhdojnë në objektet rezervë për të cilat do të informohen menjëherë votuesit”, kanë thënë burimet.

Mësohet se edhe në komunën e Zubin Potokut janë duke u zhvilluar zgjedhjet lokale, por akoma nuk është arritur të identifikohen vendvotimet, për shkak se strukturat paralele kanë ndryshuar gjatë natës strategjinë e tyre.

Ndërkohë, përfaqësues të komisioneve zgjedhore komunale në dy komunat veriore të vendit, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë vendosur që për shkak të mos rrezikimit të procesit të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare, zgjedhjet në nivelin lokal t`i mbajnë në hapësira të tjera nga ato në të cilat do të mbahen zgjedhjet për kryetar dhe deputetë të Serbisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›