E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krasniqi: Me arrestime në Maqedoni dhe në Serbi duan të na frikësojnë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga të gjithë shqiptarët e Ballkanit që t`ju japin një përgjigje të përbashkët politike arrestimeve të fundit të shqiptarëve në Serbi dhe Maqedoni. Kryeparlamentari Krasniqi u ka bërë thirrje dy shteteve fqinje që të kenë kujdes me shqiptarët, pasi pozita e tyre nuk është më siç ka qenë në shekujt e mëparshëm.
 

Në një intervistë për Express, Krasniqi shprehet se disa popuj nuk po mund të pranojnë pozitën e avancuar të shqiptarëve dhe po e mbajnë rajonin të trazuar.
 

"Sigurisht se janë konfliktet e vjetra, janë ideologjitë nacionaliste dhe dominuese që ende janë në skenat politike në Ballkan. Këto ideologji dhe filozofit mitomaniste të dominimit nuk po mund të pajtohen me realitetin e ri që është krijuar në Ballkan dhe s`mund ta pranojnë një pozicion të avancuar që e ka kombi shqiptar në Ballkan", ka thënë Krasniqi.
 

Krasniqi thotë se aksionet e arrestimeve në Maqedoni dhe në Serbi kanë për qëllim frikësimin e shqiptarëve. Ndërsa, për ta tejkaluar këtë situatë thotë se duhet t`u jepet një përgjigje kombëtare dhe ndërkombëtare vendeve fqinje.
 

"Konsideroj që edhe institucionet e Shqipërisë, edhe të Kosovës por edhe të BE-së duhet të bëjnë diçka që ta sigurojnë dhe ta garantojnë jetën e qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Ballkanit” shtoi ai.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›