Jemeni paralajmëron njohjen e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Jemenit, Abu Bakr Abdullah Al Qirbi, ka paralajmëruar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij. Ai ka thënë se njohja e Kosovës aktualisht është një ndër prioritetet e punëve të jashtme të qeverisë së Jemenit.
“Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vendet tona aleate, sidomos ato arabe, sikurse edhe me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe kemi ardhur në përfundim se është koha, që ashtu sikurse Katari dhe disa vende tjera arabe edhe Jemeni të njoh shtetin e Kosovës”, është shprehur kryediplomati i Jemenit.
Sipas ministrit të punëve të Jashtme të Jemenit, njohja e Kosovë është prioritet i qeverisë së këtij vendi. “Në praktikë, vendi ynë e njeh Republikën e Kosovës, ndaj për këtë njohje zyrtare mbetet vetëm kryerja e disa formaliteteve, ç`ka edhe jemi duke bërë aktualisht”, ka shtuar ai.