Kosovë, shefi i zyrës në veri do të jetë një serb

Njeriu që do të udhëheqë zyrën administrative përtej Ibrit do të jetë qytetar serb dhe do të zgjidhet me konkurs.
Pas këtij hapi, sipas burimeve të gazetës “Express”, do të publikohet edhe plani i detajuar për integrimin e kësaj pjese të vendit. Diplomatët perëndimorë në Prishtinë e mirëpresin hapjen e Zyrës, ndërsa e përjashtojnë statusin special për veriun.
Qeveria e Kosovës po e pret emërimin e Shefit të Zyrës administrative për veriun e Mitrovicës për të shpalosur në detaje planin për integrimin e asaj pjese të Kosovës.
Burime të gazetës “Express” brenda Qeverisë kanë treguar se zyrtari që do të emërohet përmes konkursit publik do të jetë qytetar serb i veriut dhe do ta ketë barrën kryesore për të dialoguar me banorët lokalë dhe për t`i afruar ata më afër Prishtinës.
“Ashtu si udhëheqësi edhe punëtorët e Zyrës do të jenë njerëz që jetojnë në veri. Porsa të emërohet do të publikojë në detaje planin, i cili fokusohet në investime socio-ekonomike”, ka thënë një zyrtar i Qeverise.
Megjithëkëtë, vetëm një ditë pas themelimit ka ardhur reagimi i përfaqësuesve të serbëve të veriut, të cilët kanë kundërshtuar hapjen e Zyrës së re atje, me arsyetimin se nuk është pyetur Beogradi.