E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, shpërthen makina e policisë

Një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës ka shpërthyer mbrëmjen e shkuar në Zubin Potok. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21 e 40 minuta në parkingun e stacionit policor në Zubin Potok, ka informuar zëdhënësi i Policisë Rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti. Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit, të cilët kanë bërë të mundur fikjen e flakëve. Në vendin e ngjarjes kanë dalë komandanti i stacionit policor të Zubin Potokut, policët e njësisë së operativës, policët hetues dhe teknikët e kriminalistikës të cilët kanë gjetur kapak të shisheve të cilat kundërmonin erë benzine, që janë marr si dëshmi materiale. Veç dëmeve materiale në veturë nuk është raportuar për lëndime te personave. Në të njëjtën kohë, në murin e pasmë dhe atë anësor të stacionit policor, policët kanë vërejtur disa grafitë kundër EULEX-it në gjuhën serbe. Policia po heton për të zbardhur autorët e kësaj ngjarje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›