Kosovë, shqiptarë e serbë nuk presin aksion policor në veri

Formula e qeverisë së Kosovës për dialogun që do të prodhonte zgjidhjen e çështjes së veriut është vlerësuar nga serbët të jetë e parealizueshme dhe që nuk do të prodhonte rezultate pozitive. Të kundërtën e besojnë shqiptarët, por theksojnë se qeveria nuk do ta përmbush atë që ka deklaruar, shkruan sot Koha Ditore.
Një ditë më parë zyrtarë të lartë të qeverisë kanë shprehur qëndrimin për të mos dialoguar për çështjen e veriut as me serbët vendas, për aq kohë sa kjo pjesë mbahet e zaptuar nga kriminelët. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kumtuar se dialogut do t`i paraprijë përballja me ligjin e këtyre njerëzve. Kjo për shkak të frikës se serbët e veriut që do të pranonin të dialogonin, do të mund të kërcënoheshin nga grupet joformale të kësaj pjese.
Paralajmërimi për aksion është parë me frikë nga zyrtarët serbë. Oliver Ivanoviç, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se serbët e veriut nuk u besojnë institucioneve të Kosovës. Prandaj, ka thënë se vetëm kthimi i besimit do të mund të kryente punë.