E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët kosovarë urojnë Pashkët Ortodokse

Krerët e institucioneve kosovare u kanë uruar të gjithë besimtarëve ortodoksë të vendit Festën e Pashkëve.

Në mesazhin e saj të urimit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, uroi që kosovarët ortodoksë këtë festë ta kalojnë “në lumturi, në dashuri e në harmoni me të gjithë njerëzit më të afërm dhe më të dashur”.

“Në këtë ditë të festës, le t`i rikujtojmë me respekt dhe dhimbje të gjithë ata që nuk janë sot me, si dhe të tregojmë ndjenjën e solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën e shtetit dhe të shoqërisë”, thuhet në mesazhin e presidentes, e cila bën gjithashtu thirrje që brenda këtij viti secili qytetar të përkujtojë obligimet “ndaj shoqërisë dhe shtetit”.

Në urimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkaq, ritheksohet se “qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të kremtojnë festat e tyre në paqe e tolerancë, në solidaritet dhe mirëkuptim”.

Edhe pse pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës i takon besimit Islam, në raportet e ndryshme për të drejtat e njeriut vendi është shquar shpeshherë për tolerancën ndërfetare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›