E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, sot 40 kamionë nga Serbia, 3 anasjelltas

Nëpërmjet pikës kufitare në Merdare dhe asaj të Konqulit, nga Serbia në Kosovë, deri në orën 15:00 kanë hyrë gjithsej 43 kamionë me mallra. Nga 43 kamionë, 11 kanë hyrë nëpërmjet Merdares, ndërsa 32 të tjerë nëpërmjet Konqulit, raportojnë mediat serbe. Ndërkohë, për herë të parë sot kanë kaluar tre kamionë nga Kosova për në Serbi.
 

Që nga dita e premte, të paktën në gjashtë rrugë kryesore dhe lokale, serbët e veriut kanë vendosur barrikada, në tentim për të shkëputur lidhjet mes jugut dhe veriut. Njëri nga liderët e serbëve të veriut, Kërstimir Pantiç ka thënë se serbët tash janë më të vendosur se kurrë që të mos heqin dorë nga bllokadat rrugore dhe sipas tij ato do të forcohen në ditët e ardhshme.

Ura kryesore mbi lumin Ibër, rruga magjistrale Mitrovicë-Leposaviq, rruga Mitrovicë- Zubin Potok, rruga afër shkollës teknike afër Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë si dhe disa rrugë tjera më të vogla vazhdojnë të jenë të bllokuara nga serbët, të cilët kundërshtojnë planin e qeverisë së Kosovës për kthimin e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31. Autoritetet ndërkombëtare nuk duket se kanë ndonjë plan për heqjen e shpejtë të bllokadave, ndërkohë, që KFOR-i edhe më tej bën bartjen e policëve e doganierëve kosovarë për në pikat 1 dhe 31 me helikopterë ushtarakë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›