E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, PDK: Po mbahen peng institucionet. LVV: Opozita kërkon bllokadën

Seanca e kësaj të diele (25 maj) ka dështuar sërish për konstituimin e kuvendit të Kosovës.

Pavarësisht pranisë së 90 deputetëve në sallë, vetëm 53 votuan pro krijimit të një komisioni për votim të fshehtë, një votë ishte kundër, ndërsa pjesa tjetër nuk mori pjesë në votim. PDK, LDK, AAK dhe NISMA nuk propozuan asnjë anëtar për këtë komision, duke bllokuar sërish procesin

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca tjetër do të mbahet më 27 maj, në orën 11:00.

Pas dështimit të seancës, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku u shpreh se institucionet po mbesin peng i mendjemadhësisë së Albin Kurtit, ndërsa shton se qytetarët nuk votuan për bllokim.

“Institucionet vazhdojnë të mbesin peng i kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja të cilat do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë”, tha Çitaku.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se problemi i opozitës nuk është emri i Albulena Haxhiut, por duan të bllokojnë institucionet.

“Mendoj që kjo është një arsye pas së cilës po qëndron opozita duke thënë se ne nuk e votojmë Haxhiun. Por, ne nuk mund të futemi në këto lloj kërkesash të partive opozitare sepse jemi subjekti që kemi fituar zgjedhjet. Deputetët e këtyre partive politike zgjedhin të mos marrin pjesë në votim e të kontribuojnë në vazhdimin e kësaj bllokade që prej javësh është krijuar në Kuvend”, tha ajo.

Ngërçi politik në Kosovë vijon prej më shumë se tre muajsh, ku subjektet politike nuk gjejnë konsensusin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Vetëvendosje vijon t’i qëndrojë kandidaturës Albulena Haxhiu, emër që kundërshtohet nga opozita.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›