Kosovë, takimi i parë i Dialogut për Stabilizim Asocim
Në Prishtinë dje ka filluar takimi i parë i Dialogut të Stabilizim – Asocimit (DSA), për këtë vit, ndërsa temat kryesore do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përforcimi i kapaciteteve për ri integrim, përmirësimi i regjistrave civilë, siguria e dokumenteve dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.
Më tutje, siç njoftoi Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, takimi do të zgjasë deri më 9 shkurt.
Samuel Zhbogar, përfaqësues special i posaemëruar i BE-së dhe udhëheqës i zyrës së BE-së në Kosovë, tha se “sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave elementare të njeriut, janë të rëndësishme, jo vetëm për Dialogun e Stabilizim Asocimit, por edhe për dialogun e liberalizimit të vizave, i cili ka filluar kiohët e fundit”.
Sipas tij, “si dhe kur ky proces do të çojë në lëvizjen e lirë pa viza, do të varet nga puna e autoriteteve dhe e shoqërisë kosovare si tërësi”.
Ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Vlora Çitaku, është shprehur se aspektet e integrimit evropian, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë treguar si më të vështirat për implementim në këtë proces, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin.
Takimi i dialogut për Stabilizim – Asocim, konkludimet e së cilit do të përfshihen në Raportin e ardhshëm të progresit, po organizohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës.