E Diel, 1 Nëntor 2026

Siri, 47 viktima në sulmet gjatë natës, banorët: Jemi në kurth

Të paktën 47 persona kanë mbetur të vdekur në Homs në bombardimet e kryera gjatë natës, ndërsa aktivistë të opozitës flasin për një situatë humanitare  alarmante.

Prej tre ditësh jemi shënjestër e moratjave dhe plumbave të ushtrisë së Asadit dhe nuk kemi asnjë mënyrë për tu larguar apo për tu strehuar. Jemi në kurth, shprehet Shadi Juri, një banor i Homsit, i cituar nga agjencia italiane e lajmeve, Ansa.

Sipas tij, lagjet më të goditura nga sulmet e regjimit të presidentit Bashar al Asad janë  Bab Amro, Khaldiye, Bayada e Waar. Në War mendohet që numri i viktimave të jetë shumë i madh, pasi është goditur spitali në Walid.

Ndërkohë, televizioni arab Al Jazira ka transmetuar pamje të aktivistëve të opozitës, të cilët kërkojnë ndihmë përmes lidhjeve me modem satelitor, pasi linjat telefonike, i vetmi mjet komunikimui, kanë dalë jashtë funksionit prej ditësh.

Pamjet e transmetuara nga tarracat e pallateve shumëkatëshe dhe xhamitë e Homsit janë thirrje për ndihmë në qytetin që prej tre ditësh gjendet nën bombardimet e ushtrisë siriane. / Përgatiti: Gazmira Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›