Kosovë, themelohet komuna e Graçanicës
Në Kosovë është themeluar komuna e parë e re me shumicë serbe, sipas planit të Ahtisarit për statusin.
Komuna e Graçanicës është ngritur mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve komunale të 15 nëntorit, në të cilat u shënua një pjesëmarrje më e madhe në votime e komunitetit Serb.
Kryetari i komunës së re të Graçanicës dhe këshilltarët komunalë të dalë nga zgjedhjet lokale të Nëntorit kanë dhënë betimin, duke u zotuar për përmirësimin e kushteve të jetës për komunitetin Serb.
Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë mirëpritur funksionalizimin e komunës së Graçanicës sipas planit të decentralizimit, që është pjesë e marrëveshjes për statusin e Kosovës.
Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati e ka vlerësuar themelimin e kësaj komune si një ngjarje historike për integrimin e serbëve, ndërsa zëvendësshefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Fletcher Burton tha se për qytetarët e Graçanicës ky ishte një fillim i ri.