Kosovë, veriu shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Strukturat paralele në veri të Mitrovicës kanë shpallur të mërkurën gjendje të jashtëzakonshme në veri, njofton e përditshmja Express. Këto struktura kanë apeluar te qytetarët serbë të jenë në gjendje gatishmërie për çdo situatë që mund të krijohet, ndërkohë që kanë ftuar të gjithë serbët që janë të aftë të përgjigjen në rast të çdo nevoje.
Të mërkurën në Zveçan është mbajtur një takim midis komandantit të KFOR-it në Kosovë, Erhard Buhler dhe kryenegociatorit serb në bisedime me Prishtinën, Borko Stefanoviq, në të cilin është biseduar rreth zbatimit të marrëveshjes që është arritur një natë më parë për tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës, si dhe kthimin e policëve serbë të Kosovës në pikat kufitare si më parë.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se epilogu i këtij takimi mes gjeneralit dhe kryenegociatorit është në disfavor të serbëve, andaj ka indikacione të organizimit të protestave dhe tensionimit të gjendjes në veri.
Ndërkohë në mbledhjen e sotme të qeverisë, u propozua që anëtari I forcave speciale të policisë së Kosovës (ROSU), Enver Zymberi të shpallej Hero I Kosovës, propozim që u miratua nga presidentja Jahjaga.
Ia kemi borxh Enverit, e mbi të gjitha fëmijëve të tij dhe gjithë Kosovës që sovranitetin e Kosovës, kufijtë e saj ti ruajmë dhe ti mbrojmë përgjithmonë. Andaj heroi Enver Zymberi ka rënë në mbrojtje të Kushtetutës, ligjeve, integritetit dhe tërësisë territoriale të vendit, tha kryeministri Hashim Thaçi.