Kosovë, vështirësi në krijimin e koalicionit qeverisës

Krijimi i koalicionit qeverisës, po bëhet akoma dhe më i vëshirë për partinë fituese të Hashim Thaçit. Të katër partitë që i përkasin shumicës shqiptare, e që në fakt përbëjnë edhe shumicën parlamentare prej 61 votash, ose kanë kushte që vështirë se mund të mund t`u plotësohen, si rasti i presidencës për Bexhet Pacollin e AKR-së, ose refuzojnë që të hyjnë tërësisht në koalicion me PDK-në. Vetëm votat e pjesës dërmuese të minoriteteve aktualisht janë të sigurta për krijimin e qeverisë së re. Por edhe nga këto vota aktualisht nuk janë të sigurta më shumë se 54 të tilla për të krijuar qeverinë e re. Ndonëse jo të gjitha janë të gatshme.
Ndërsa AAK-ja ka deklaruar se hyn me kushtin e fortë në koalicion vetëm nëse merr postin e kryeministrit. Por PDK ka shprehur bindjen se do ta mbajë postin e kryeministrit dhe atë të kryetarit të Parlamentit. Kjo parti shpreson që partnerin e ardhshëm të koalicionit ta joshë me poste ministrore në qeveri e ndoshta edhe me postin e presidentit.
Ndërkohë që gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë nga parti të ndryshme pretendojnë se kanë marrë më shumë vota sesa ato që i ka publikuar KQZ-ja. Ankesat e tyre po i shqyrton Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Paneli i gjykatësve do të vendosë të enjten edhe rreth ankesave të gjashtë partive politike.
PZAP-i ka afat deri të enjten në orën 21 e 15 të vendos për këto ankesa, e më pas për vendimet, të pakënaqurit kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, e cila po ashtu ka në dispozicion 72 orë.