Kosovë,Limaj: Rrezikohet Qeveria nëse pranohet plani
Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar mbrëmë në emisionin "Rubikon" se institucionet aktuale nuk do të kishin kuptim së ekzistuari nëse plani 6-pikësh imponohet, duke aluduar në mundësinë e rënies së Qeverisë. Ai tha se pranimi i planit gjashtëpikësh do të thotë shkelje të Kushtetutës së Kosovës. "Qeveria e cila shkelë sovranitetin e saj, ajo nuk paraqet interesat e popullit të Kosovës", ka deklaruar nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj. Por, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk i sheh dorëheqjet si zgjidhje për situatën, në të cilën gjendet vendi. Ai fton institucionet që në rast imponimi, çdo ditë në terren të pengojnë implementimin e këtyre 6 pikave. Dhe, këtë sipas tij duhet ta bëjë Policia e Kosovës. "Vetëvendosja" bashkë me rrjetin e OJQ-ve të tjera janë duke u bërë gati për të tjera demonstrata, edhe më masive.