Shpallen fituesit e Festivalit Teatror për të rinj
Regjisori Erion Hinaj me dramën "Kamarieri memec", shkruar nga Harold Pinter, u shpall fitues në Festivalin Teatror të të Rinjve, i cili u mbyll dje në mbrëmje në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Regjisori Hinaj duke vënë në dukje se konkurrenca ishte shumë fortë, dhe se "shfaqjet ishin mjaft të mira", falenderoi me këtë rast stafin për përkushtimin dhe jurinë për vlerësimin". Saimir Braho dhe Gentian Zenelaj që interpretuan në dramën "Kthesa", u vlerësuan me çmimin si aktorët më të mirë, ndërkohë që ky i fundit u shpreh se, " këtë çmim ua kushtonte kolegëve të tij". Ndërsa Besart Kolonja u vlerësua me çmimin "Skenografi më i mirë", nga një juri profesioniste ku bënin pjesë, Yllka Mujo aktore, Enton Kaca regjisor dhe Eleni Gjovreku, drejtoreshë arti në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Edicioni i katërt i "Festivalit Teatror të të Rinjve 2008" u mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Gjatë ditëve të këtij festivali regjisorët, skenografët dhe aktorët, pjesëmarrës në produksionet e realizuara e shndërruan skenën e Teatrit Kombëtar në një garë idesh dhe emocionesh. Regjisorët e rinj që morën pjesë në këtë festival ishin, Mikel Kalemi, Juli Sinani, Eglantina Cenoimeri, Erion Hinaj dhe Irvin Muçaj. Të pesta shfaqjet e realizuara nga regjisorë të rinj u prezantuan nga data 17-22 nëntor në Teatrin kombëtar.