E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë,qeveria dënon edhe një herë trazirat e 17 marsit të 2004-ës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka lëshuar një deklaratë në përvjetorin e trazirave të marsit ku ndër të tjera shpreh solidaritetin me të gjithë ata që janë prekur nga ato ngjarje fatkeqe. "Ngjarjet tragjike të marsit 2004 shënuan një ndër episodet më të errëta në historinë tonë të kohëve të fundit. Qytetarët dhe institucionet e Kosovës i dënuan atëherë dhe i dënojnë edhe tani sulmet e kryera në atë ditë. Duke kujtuar ato ngjarje, populli dhe qeveria e Kosovës edhe një herë përsërisin solidaritetin e përbashkët me të gjithë ata që janë prekur nga ato ngjarje fatkeqe", thuhet në fillim të deklaratës. Qeveria e Kosovës shprehet se zotohet për të riparuar dëmet e bëra, veçanërisht për të rinovuar, rindërtuar dhe për të ofruar siguri për kishat ortodokse serbe. Dhe për këtë arsye, sipas qeverisë kosovare policia vendase ruan shumë nga kishat ortodokse serbe në Kosovë. Në deklaratën e qeverisë gjithashtu theksohet se historia nuk mund të ndryshohet, por mund të bëhet shumë që ngjarje të tilla të dhunshme të mos përsëriten më dhe që të gjitha komunitetet në Kosovë të kenë të drejtat e tyre të garantuara dhe të mund të ndihen të sigurt e të lirë. "Ne jemi thellësisht të bindur se dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe zbatimi i plotë i Planit të Presidentit Ahtisaari do të na ndihmojë për të arritur këtë qëllim. Për më tepër, të gjithë faktorët e shoqërisë në Kosovë duhet të jenë të përgatitur për t'u përgjigjur me pjekuri dhe gjakftohtësi ndaj të gjitha sfidave politike dhe të sigurisë që mund të shfaqen në të ardhmen. Sot, përderisa ne kujtojmë ngjarjet e dhimbshme të marsit 2004, i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të vazhdojmë bashkërisht me përkushtimin tonë të fuqishëm drejt ndërtimit të një shteti demokratik të bazuar në sundimin e ligjit, në tolerancë dhe në respektin për të gjithë qytetarët. Në Kosovën e re, nuk do të ketë hapësirë për urrejtje dhe dhunë", përfundon deklarata e qeverisë së shtetit më të ri në botë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›