E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn:Procesi i zgjerimit të BE-së do vazhdojë

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Oli Rehn ka thënë se Bashkimi Europian nuk do të bllokojë planet për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si anëtare të bllokut. Rehn e bëri këtë deklaratë duke iu përgjigjur dyshimeve të kancelares gjermane Angela Merkel se blloku i 27 vendeve kishte nevojë për një fazë konsolidimi përpara pranimit të anëtarëve të reja. I pyetur për këtë deklaratë, komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oli Rehn tha se perspektivat për anëtarësimin në bllok kishin ndihmuar për vendosjen e stabilitetit politik dhe kryejen e reformave ekonomike në Ballkanin Perëndimor, rajon i shkatërruar nga luftërat e viteve '90. "Ne nuk mund të frenohemi tashmë nga puna jonë e jashtëzakonshme për stabilitetin dhe progresin në Ballkanin Perëndimor, që u sigurua nga perspektiva europiane", u shpreh Rehn në një konferencë për shtyp. "Kjo është një arritje për stabilitetin në Europën Juglindore. Ne nuk mund të luajmë me të", shtoi ai. Rehn theksoi se kriza ekonomike dhe përpjekjet për të ratifikuar Traktatin e Lisbonës nuk duhej të ishin pengesë për zgjerimin e bllokut. Sipas tij, BE është në gjendje të bëjë disa gjëra në të njëjtën kohë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›