Kosovës i duhet strategjia për liberalizimin e vizave

Motivi i qytetarëve të Kosovës për integrim në BE duhet të shndërrohet në energji aktive dhe potencial veprues për ëndrrën evropiane të Kosovës. Kështu deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi në Bruksel në konferencën “Ballkani Perëndimor drejt një Evrope më të integruar”
“Lëvizja e lirë u duhet qytetarëve tanë që të mos mbahen të izoluar. Ne nuk kërkojmë liberalizimin e vizave pa përmbushjen e kritereve, prandaj po bëjmë përpjekjet për të cilat fola dje në Grupin e Punës. Për ne paraqitet si nevojë e ngutshme Strategjia e liberalizimit të vizave”, theksoi kreu i legjislativit të Kosovës.
Kryetari Krasniqi vlerësoi se Kosova po dëmtohet shumë për faktin se pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur ende shtetësinë e saj.
“Ne u bëjmë thirrje atyre që ta njohin Kosovën, që ajo të mos mbetet peng i mosnjohjes dhe që të mund të ecim edhe ne përkrah fqinjëve tanë drejt integrimit evropian dhe prosperitetit të përgjithshëm”, theksoi ai.