Biçikletat e Xhuvanit ndalojnë në Ohër
Sot nisin në Ohër xhirimet e filmit "Lindje-Perëndim-Lindje" me regji të Gjergj Xhuvanit
Pas një rrugëtimi në ambientet e Kinostudios në Tiranë, në Durrës e Përmet, çiklistët e Xhuvanit mbërritën në Maqedoni. Do të kalojnë në qendër të qytetit të Ohrit, për të vijuar në fshatin Peshtan, malin e Galiçicës, e më tej në anën shqiptare të kufirit, në fshatin turistik të Tushemishtit. Grupi i xhirimit të filmit më të ri të regjisorit Gjergj Xhuvani, "Lindje-Perëndim-Lindje", është vendosur në Ohër dhe sot pritet të nisë nga puna. Sipas regjisorit dhe producentit Gjergj Xhuvani, një pjesë e xhirimeve janë kryer në Durrës, Përmet dhe në Qafë - Thanë. Sipas tij, gjithçka po shkon sipas parashikimeve, edhe pse mund të ketë edhe ndonjë ndryshim të vogël të programit, për shkak të motit të paqëndrueshëm. Produksioni në Maqedoni realizohet nën kujdesin e kompanisë SM- ART. Xhirimet në këtë zonë do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji. Sipas skenarit, pikërisht këtu zhvillohet një nga peripecitë e personazheve të Xhuvanit. Më pas mësohet se xhirimet do të vazhdojnë në Itali. Në rolet kryesore të këtij filmi interpretojnë Ndriçim Xhepa në rolin e Ilos, Petrit Malaj, në rolin e zv/ ministrit, Helidon Fino, Lulëzim Zeqja, Gentian Hazizi, Romir Zalla, si dhe aktorët maqedonas Rubens Muratovski, Dragan Bosniç, aktorja boshnjake Nela Luçiç dhe aktorët shqiptarë nga Maqedonia Muzbajdin Qamili, Osman Ahmeti, Mendim Murtezi etj
Skenaristi i filmit "Lindje Perëndim lindje", Dhimitër Xhuvani, zbulon shkurtimisht skenarin e filmit. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1990 në një Shqipëri të varfër dhe totalisht të izoluar. Një grup çiklistësh nisen të marrin pjesë në një tur çiklistik në Francë. Më pas ngjarjet zhvendosen në ish- Jugosllavi. Grupi i çiklistëve nisen në turin e Francës në prag të ndryshimeve të mëdha social-politike dhe në momentin e ardhjes së demokracisë ata ndodhet në Trieste të Italisë. Në këtë moment 11 çiklistët braktisen nga shteti, nga funksionarët e Ambasadës dhe humbasin kontaktet me të afërmit. E gjithë rruga gjatë kthimit në Shqipëri shoqërohet nga një sërë peripecish dhe vuajtjesh. Dhimitër Xhuvani, i cili çdo verë pushon në Pogradec, thotë se edhe filmin "I dashur armik" , dy romane dhe skenarin e filmit "Lindje- Perëndim- Lindje" i ka shkruar pikërisht në një shtëpi buzë liqenit në Pogradec. Që do të thotë se vepra është rikthyer sërish në vendin ku u ngjiz, buzë liqenit të Ohrit. Çdo gjë tanimë është gati dhe sot nis puna.
Bardhyl Berberi