E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorna thyen heshtjen

 Kanë

"Heshtja e Lornës" shfaqet sot në Kanë. "Le silence de Lorna", filmi në të cilin interpreton aktorja Arta Dobroshi, shfaqet sot në ekranin e madh të Festivalit të Filmit në Kanë. Po sot në ekranin e Kanës do të shfaqen filmat "Two lovers" me regji të James Gray, "Séance homage a Manoel de Oliviera", jashtë konkursit dhe "sanguepazzo", një projeksion special i Marco Tullio Giordana ku interpreton aktorja Monica Bellucci.

Me rolin e Lornës është protagoniste dhe duhet të mbajë mbi supe gjithë filmin e Luc dhe Jean-Pierre Dardenne, i cili është futur në konkurrimin zyrtar të festivalit, mes 18 të tjerëve. Dobroshit i është besuar roli i një shqiptareje që përgatit një plan diabolik përtë fituar me çdo kusht shtetësinë belge dhe për të përmbushur ëndrrën për të blerë një dyqan në Ljezh. E nxitur nga i dashuri i saj Fabio, ajo vendos të kryejë një "martesë për letra" me Klodin, një burrë që është në varësi të drogës (Jeremie Renier). Lorna shpreson se Klodi nuk do ta ketë të gjatë, por ndodh që atij t'i kthehet dëshira për jetën dhe t'i shpëtojë varësisë nga droga.

Lorna thur plane që kur të ketë marrë shtetësinë të martohet me mafiozin rus që edhe ky të zgjidhë problemet e emigracionit. Por kjo martesë e dytë është e mundur vetëm nëse realizohet plani i Fabios për të vrarë Klodin. Sërish vëllezërit Dardenne si dhe në filmat paraardhës, janë fokusuar tek një dilemë morale. Në "Heshtjen e Lornës" interpretojnë Jérémie Renier aktor që Dardenne-t e kanë pasur në filmat "Premtimi" dhe "Fëmija"; Fabrizio Rongione aktor në filmat "Rozeta" dhe "Fëmija" dhe Dobroshi, aktorja kosovare e cila është zbuluar nga suksesi që ka patur në filmin "Syri magjik" i regjisorit shqiptar Kujtim Çashku, ku ka interpretuar së bashku me Alban Ujkën, që e shoqëron edhe tek "Heshtja e Lornës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›