Kotorri Sefa Mancaku Djamanti e Hoxha te Besa
Besa e nis merkaton me “marshin e pestë”. Jo vetëm në kuptimin figurativ të fjalës. Kjo, për faktin se kavajasit kanë realizuar menjëherë blerjen e pesë lojtarëve. Vetëm 48 orë pasi futbolli shqiptar uli siparin për pushimin e dimrit, verdhezinjtë janë shfaqur si skuadra më aktive. Presidenti Nexhat Bizhdili ka konfirmuar afrimin e portierit Elvis Kotorri, mesfushorit Bledar Mancaku, sulmuesit Fatjon Sefa dhe mbrojtësve Matko Djamanti e Erand Hoxha. Këto goditje në merkato u realizuan për të plotësuar boshllëkun e lënë nga largimet e Sead e Semir Haxhibuliç, Osmanit, Ngjelës e Feruzoviç, të cilët u larguan pas prishjes së kontratës me mirëkuptim. “Revolucion në skuadër? Mbi 90 për qind mund të cilësohet i tillë. Siç e kemi theksuar edhe më parë, ne kemi bërë një merkato shumë të gabuar në fillim të sezonit. Unë e kam pranuar këtë fakt, dhe tani do të ndërhyjmë që të ndryshojmë ecurinë e skuadrës”, - konfirmoi Bizhdili. “Pesë lojtarë i kanë mbyllur kontratat pas marrëveshjeve nga të dyja palët. Kemi edhe dy marrëveshje të tjera për të prishur në vazhdim. Të gjithë ata që kanë ikur janë zëvendësuar. Zyrtarizuam Kotorrin, që e kishim me prioritet. Gjithashtu, kemi arritur marrëveshje edhe me Mancakun, Sefën e Djamantin. Rikthehet Hoxha nga Elbasani. Por, merkato nuk mbaron këtu, pasi do bëjmë edhe dy-tri blerje të tjera. Synojmë të kthehet Elokani, që është një prej lojtarëve më të mirë të huaj që kanë luajtur në Shqipëri”. Numri 1 i Besës foli edhe për objektivat e këtij sezoni: “Pjesa e parë e sezonit ishte më zhgënjyesja në këto 10 vjet që drejtoj skuadrën. Përforcimet lidhen me ambiciet tona. Këtu nuk e kam fjalën te mbijetesa: edhe pse jemi larg kryesueseve, objektivi ynë është klasifikimi në vendin e katërt (që përkthehet ndryshe një vend në Europa League), ndërsa jemi në garë për Kupën e Shqipërisë”.