E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kotorri i Dinamos : Han me harroi

Sokol Paja
Elvis Kotorri, portieri më i mirë deri tani i kampionatit shqiptar për sa u përket statistikave dhe lojës së zhvilluar nuk mund ta fshehë dot zhgënjimin që i ka ardhur nga Kombëtarja Shqiptare e Futbollit. Portieri elbasanas që mbron portën e Dinamos, ka qenë ndër më të spikaturit në vitet e fundit, dhe ka mbetur mjaft i cuditur për mungesën e një ftesë nga Kombëtarja e Futbollit për zborin e Antalias dhe humbjen e vëmendjes për portierin më në formë të kampionatit. "Nuk e di se si kanë rrjedhur ngjarjet dhe se cfarë ka ndodhur. Unë duhet të isha në Kombëtare. Jam portieri më i spikatur i viteve të fundit. Këtë e tregojnë shifrat, por në kombëtare nuk po më marrin. Kur në kampionat je më i miri dhe më i spikaturi, besoj janë të mjaftueshëm për të qenë në Kombëtare, të paktën në këtë grumbullim të Kombëtares B" tregon me habi Kotorri. Në 17 javë kampionat portieri i Dinamos ka pësuar vetëm 6 gola. Një rekord mjaft pozitiv ky për kampionatin shqiptar. Gardiani i bluve ka shfaqur një formë shumë të mirë si me Elbasanin dhe Dinamon, këtë vit ka qenë ndër shtyllat më të forta ku ekipi i Dinamos ka mbështetur sukseset e veta. Kotorri deklaron se mungesën e ftesës në kombëtare do e shlyejë me përmirësim të rekordeve të tija. "Edhe pse nuk më kanë thirrur që të paktën kësaj here duhet të më thërrisnin, mua nuk më intereson fare. Unë do të punoj edhe akoma më mirë sec kam punuar deri tani. Unë do të jap maksimumin në klubin ku kam kontratë dhe do të përmirësoj rekordet e mia" tha gardiani i bluve. Ecurinë e Dinamos portieri e vlerëson si shumë të suksesshme dhe se ekipi mund të arrijë të dalë kampion. "Jemi në një rrugë shumë të mbarë në arritjen e fitimit të titullit kampion. Po të ruajmë ecurinë e fazës së parë besoj se do ia dalim mbanë". Në merkaton e janarit tek ekipi i Dinamos ka pasur më shumë largime se afrime si: Plaku apo Mile dhe për këtë Kotorri thekson, se duhen përforcime cilësore. "Në skuadër duhet të blihen lojtarë cilësorë. Ata që bëjnë diferencën janë të mirëpritur në cdo klub. Unë jam i mendimit se duhet të bëjmë blerje të mira që në fakt i duhen ekipit". Sipas Elvis Kotorrit Dinamo e sivjetshme është ndër më të mirat e këtyre viteve dhe shpresat për titull kampion janë të mundshme më shumë se asnjë herë tjetër. "Dinamo ka grup të mirë dhe besoj se me pak sakrificë do ia arrijmë që të shpallemi kampion të Shqipërisë, ashtu sic u shpallën kampion dimri, gjërat janë në rregull dhe i kemi në dorën tonë" përfundoi Kotorri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›