E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kovaçiç, hera e dytë si i parë në karrierën e tij

Nga Leonard Karaj
Eshtë e para e tij si i pari i kuqezinjve. E dyta, në gjithë karrierën e tij teksa numëron edhe katër ndeshje si i parë në sezonin 1999-2000 tek Fortuna e Këlnit në Bundesliga 2. Ka qenë mësuar të punojë plot zell nën "kësulën" e Oto Baric, por në mungesë të tij ka marrë në dorë frenat e skuadrës kuqezi. Ka punuar përgjithësisht si zëvendëstrajner si në Kroaci, Austri dhe në Gjermani. Duket sikur ka qenë destinuar për të luajtur rolin e shoqëruesit. Rolin e atij që punon më shumë në fushë me futbollistët. Atij që bredh nga njëri kampionat në tjetrin për të ndjekur legjionarët. Atij që mbetet në shumicën e kohës në hije por që jo rrallë herë ka gjykime edhe më të dobishme se vetë njëshi i pankinës. Ka punuar si zëvendëstrajner i kombëtares Austriake të futbollit. Si zëvedëstrajner i kombëtares U-21 të Austrisë. Si zëvendëstrajner i kombëtares kroate (pak kohë). Është një nga njerëzit më të besuar të Baric dhe fakti se e ka qenë pikërisht ai zgjdhja e parë e tij tregon për personalitetin që ka. Ky është zv/trajneri Sllatko Kovacic, ai që do të thotë fjalën e fundit për skuadrën kuqezi si para fillimit të ndeshjes edhe pas saj ndaj Sllovenisë dhe Bullgarisë. "Sapo fola me të në telefon dhe nuk ishte mirë. Kishte probleme me frymëmarrjen dhe nga sa kishte mësuar flitej për dobësim të mureve të zemrës, të paktën kështu më tha", ka thënë Kovacic për gazetën "Tirana Observer". Dyshi që u bë njësh i pankinës kuqezi kërkon të qetësojë edhe tifozët kuqezi përsa i përket ndeshjes me Slloveninë. "Jam i sigurt që Baric ndodhet në duar të sigurta, tek mjekët në Kroaci. Të shpresojmë që do të shërohet sa më shpejt. Ndërsa për kombëtaren jemi duke punuar mirë për një rezultat vecse pozitiv ndaj Sllovenisë", ka përfunduar Kovacic. Skeda Emri: Slavko Mbiemri: Kovacic Datëlindja: 14.05.1950 Shtetësia: Kroate Karriera: Zv/trajner i kombëtares kroate; Zv/trajner i kombëtares austriake; Zv/trajner i U-21 të Austrisë; Trajner i Fortuna Këln (Bundesliga 2).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›