E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: “Kovaçiç e Duro do të bëjnë maksimalen”

Nga Leonard Karaj
Beson tek kjo kombëtare. Shpreson se dyshja Kovacic-Duro do të bëjnë më të mirën e tyre edhe pa "shefin" Baric. Duke iu referuar këtij të fundit nuk mendon se mosha është një kusht për të drejtuar një skuadër si përfaqësuesja kuqezi. Madje për ta bërë sa më reale përdor edhe një batutë (pula e vjetër bën supë më të mirë se pula e re), e cila i përshtatet më së miri 75-vjecarit kroat të kombëtares shqiptare. Nuk pret vecse një rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Sllovenisë por në rast të kundërt lë të kuptohet se nuk do të ketë largim të Baricit. Ky është presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i cili ka hedhur poshtë cdo mundësi ndryshimi bankine në kombëtaren shqiptare. Duke iu referuar deklaratave të mëparshme tuajat se punën në federatë dhe kombëtare e masni me rezultate, sa janë arritur këto rezultate, objektiva të vendosura para nënshkrimit të kontratës nga ana e stafit drejtues të kombëtares? Kemi zhvilluar vetëm tri ndeshje zyrtare nga edicioni i tanishëm dhe është e vështirë të gjykosh. Mund të them se është vetëm fillimi. Megjithatë për këtë periudhë kemi pasur gjëra pozitive ashtu sikundër edhe negative të cilat janë marrë parasysh si nga unë edhe nga trajnerët e kombëtares. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë në Holandë dhe fati na dënoi duke mos marrë atë që na takonte, të paktën një pikë. Morëm një barazim të rëndësishëm do të thosha në Bjellorusi. Pra janë dy gjëra pozitive që duhen kujtuar, ashtu sikundër duhen kritikuar humbja në Tiranë me Rumaninë dhe loja në ndeshjen miqësore që zhvilluam në Shkodër me Maqedoninë. Gjithsesi edicioni është ende i gjatë dhe në fund të tij mund të masim dhe rezultatet e duhura pa dashur të gjykojmë shpejt dhe ma motivimin e duhur. A nuk mendoni z. Duka se një person më i ri në moshë se Baric mund të ishte më produktiv në ekipin kombëtar? E kam thënë edhe herë të tjera se Oto Baric është një trajner me eksperiencë të madhe, me shumë trofe të fituar dhe që ka punuar me shumë përkushtim deri tani për kombëtaren shqiptare. Mendoj se gjërat nuk maten me moshe por me cfarë je në gjendje të japësh. Për mua "pula e vjetër e bën supën më të mirë se pula e re", mendoj dhe besoj se Baric me grupin e bashkëpunëtorëve që ka zgjedhur do të ketë rezultate të mira. Patët deklaruar para disa javësh se mund të ketë edhe ndryshime në kombëtare në rast se nuk marrim qoftë edhe një pike në dy ndeshjet e radhës, vazhdoni ti qëndroni këtij mendimi? Kam shumë besim në arritjen e një rezultati pozitiv në ndeshjen me Slloveninë. Uroj që të më justifikohet ky besim. Në rast të kundërt? Këtë do ta shohim. Nuk mund të flas para kohe. A besoni se dyshja Kovacic-Duro do t'ia dalin me sukses edhe pa Baric në pankinë? Kovacic e Duro nuk janë të rinj në këtë profesion. Te dy mund të drejtonin pa problem një ekip si trajnerë të parë. Nuk kam asnjë dyshim që do të bëjnë maksimalen për të përgatitur shumë mirë të dyja ndeshjet dhe për një paraqitje sa më të mirë sidomos para publikut të Shkodrës. Zoti Duka a do të largohet Baric në rast se nuk fiton me Slloveninë dhe nuk merr pikë në Bullgari? Unë i uroj shërim sa më të shpejtë trajnerit. Gjithashtu, sic e thashë edhe më sipër uroj vetëm fitore në ndeshjen me Slloveninë. Kohët e fundit është folur shumë për kombëtaren ku nuk kanë munguar edhe zërat kritikë. A mendoni se mund të ketë një bashkëpunim tuajin me të gjithë faktorët, jashtë dhe brenda Shqipërisë në të mirë të futbollit shqiptar? Gjithmonë jam munduar të respektoj kontributet e të gjithë personave që kanë kontribuar dhe vazhdojnë ta bëjnë për futbollin qofshin këta futbollistë, teknikë, opinionistë, etj. Gjithashtu më vjen mirë që tregohen të interesuar po aq sa ne që e kemi punë të përditshme për promovimin e futbollit shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›