Kozeta udhëheq
Asnjëherë nuk ka ndodhur më parë në Akademinë e Arteve, që studentë të të gjitha degëve të bashkohen në një koleksion dashurie, të vënë veten në skenë edhe si studiues të gjinive të tjera. Kjo vjen në një spektakël, muzikal, që do të organizohet më 10 shkurt. Dhe këtë po e drejton për herë të parë, lindur nga ideja e saj, koreografja e dikurshme e Teatrit të Operës dhe Baletit, që theu tabutë e këtij institucioni dhe mentalitetin për baletin modern në botën televizive, sot pedagogia e Arteve, Kozeta Bakiu
Kozeta udhëheq
Intervistoi: Suela Furriku
Asnjëherë nuk ka ndodhur më parë në Akademinë e Arteve që studentët të të gjitha degëve të bashkohen në një koleksion dashurie, të vënë veten në skenë edhe si studiues të gjinive të tjera. Kjo vjen në një spektakël, muzikal, që do të organizohet më 10 shkurt. Dhe këtë po e drejton për herë të parë, lindur nga ideja e saj, koreografja e dikurshme e Teatrit të Operës dhe Baletit, që theu tabutë e këtij institucioni dhe mentalitetin për baletin modern, sot pedagogia e Arteve, Kozeta Bakiu.
“Ky muzikal përfshin detyrat e disa prej studenteve të akademisë, të cilat reflektojnë në një shfaqje të ndarë në tri pjesë të ndryshme. Ky është një muzikal, i cili ka përmbajtjen e një koleksioni dashurie”, - thotë Kozeta, që tani është e përkushtuar prej vitesh me punën e studentëve, pasi me rezerva na tregon një shkëputje pak të hidhur nga Teatri i Operës dhe Baletit. Çfarë ka ndodhur dhe sa në koherencë është baleti i sotëm në Shqipëri, Bakiu e lidh pikërisht me këtë brez studentësh. Ky spektakël është një nga triumfet e saj si ideatore, vetëm për të hequr dorë nga klishetë e mësimdhënies klasike në akademi.
Po punoni me një grup studentësh për të vënë në skenë një muzikal. Çfarë mund të na thoni më shumë rreth tij?
Ky muzikal përfshin detyrat e disa prej studenteve të akademisë, të cilat reflektojnë në një shfaqje të ndarë në tri pjesë të ndryshme. Ky është një muzikal, i cili ka përmbajtjen e një koleksioni dashurie. Pjesa e parë quhet “Step up 2”, në të cilën interpretojnë balerinë që në të njëjtën kohë edhe aktrojnë, këndojnë etj., me koreografi dhe ide të studentëve Andi Vrapi, Sindi Gjoka, Besi Skura, dhe Endri Nebi. Pjesa e dytë e muzikalit titullohet “Mama mia”, për të cilin ne kemi marrë vetëm një aktor, sërish edhe ai student i aktrimit. Ndërsa ideja dhe koreografia vjen nga Romina Kaso, Fatjon Lito, dhe Ilda Rapo. Kjo, jo se nuk mund të merret një aktor i njohur, por ka ardhur në kuadër të bashkëpunimit mes studentësh që studiojnë në gjini të veçanta të artit. Unë mendoj se, që tani, ata duhet të krijojnë lidhjet e veta, si me aktorin, regjisorin, skenografin etj. Pra, janë futur elementë të jashtëm për këtë qëllim.
Tek pjesa e tretë, “Nuse dhe paragjykimi”, e cila është një pjesë shumë interesante, me të cilën ne edhe kemi menduar që ta mbyllim për shkak të atmosferës që ajo krijon në formën e një feste. Dy personazhet kryesore janë dy studentë që vijnë njëri nga shkolla e aktrimit dhe tjetri nga regjia. Është sërish një tjetër bashkëpunim, sigurisht edhe me balerinët, të cilët janë Isida Mollaymeri, Fatlinda Smalaj dhe Sonila Tafa.
Cila është veçoria e këtij muzikali?
Asnjëherë nuk është parë që studentë të degëve të ndryshme të Akademisë së Arteve të vënë veten në skenë edhe si studiuesit e gjinive të tjera. Pra, një balerin në skenë jo vetëm kërcen, por në të njëjtën kohë edhe këndon apo aktron, apo e anasjelltë për një student që studion në një zhanër tjetër. Po ashtu, përveçse po mësojnë profesionin e koreografisë, ata marrin shumë informacion edhe për regjinë, japin ide për skenografinë, për ndriçimin etj. Këto janë elementë të domosdoshëm që i duhen një spektakli të mirëfilltë dhe unë kam menduar se këta të rinj duhej t’i provonin këto pozita që tani, që në auditor. Kjo, për arsye se kur të dalin në jetë, ata të jenë të parapërgatitur përballë çdo lloj sfide, apo defekti të paparashikueshëm në një aktivitet të çfarëdoshëm artistik.
Nga erdhi propozimi i këtij lloj spektakli, të palëvruar më parë në skenën tonë?
Ky aktivitet organizohet për herë të parë në Akademinë e Arteve, sepse asnjëherë nuk është bërë një muzikal. Ishte mendimi im që në përshtatje dhe diskutime së bashku me kolegët e mi të tjerë në kuadër të ndryshimit të programeve.
Ku qëndron ndryshimi mes programeve të mëparshme dhe prurjeve të reja? Pse u pa i nevojshëm ky hap?
Kanë qenë programe të tjera, por me avancimin e kohës është parë e nevojshme që të ecim edhe me ritmin e saj. Kemi provuar që të provojmë elementë të rinj, të cilët janë të përshtatshëm dhe aktualë. Muzikalin ne në kohën tone nuk e kemi bërë, dhe më parë nuk ishte formë e aplikueshme. Ndërkohë që tani, meqë është shumë i përhapur në botë, menduam që kjo është koha më e mirë që të serviret si diçka e re, si një risi, e cila do t’i shërbejë një të ardhmeje të sigurt çdo studenti që e kalon atë.
Përveçse pedagoge, cili është roli juaj në këtë aktivitet?
Unë i drejtoj, u jap shumë mendime dhe këshilla. Nuk janë të pakta rastet që të gjithë punën edhe ua kthej, duke i detyruar që ta fillojnë atë edhe një herë nga e para. Në të njëjtën kohë kemi edhe bashkëpunime me skenografë, por sigurisht kemi edhe idetë tona, meqenëse e njohim më mirë pjesën që do të luhet. Në anën tjetër, kam qenë unë ajo që kam ftuar edhe pedagogë të tjerë nga fusha e skenografisë, nga regjia, vetëm për t’ju përshtatur dhe për t’ju dhënë një ndihmesë më shumë studentëve, sepse duke i parë vazhdimisht vetëm syri ynë, natyrshëm ai mësohet dhe lodhet po ashtu. Ndërsa duke e parë me një sy të jashtëm, si më i freskët, do të matim veten se në ç’nivel jemi dhe se deri ku do të shkojmë. Një vërejtje sado e vogël që të bëhet, përmirëson diçka. Mendoj se jemi të hapur gjithnjë ndaj çdo kritike dhe diskutimi, pasi për ne është i vlefshëm.
Ju thatë që studentë të koreografisë do të aktrojnë, këndojnë, apo e anasjella. Si do të arrijë ta kuptojë spektatori si ndërthurje të një teknike të re?
Mua nuk më intereson se sa e kupton spektatori. Qëllimi jonë si pedagogë është që studenti të dalë sa më i përgatitur. Nëse në shfaqjen finale, spektatori e duartroket atë, do të thotë se ajo është pëlqyer dhe ne kemi arritur të realizojmë gjithçka, pavarësisht nëse ai e ka kuptuar që është diçka e re, apo e konsumuar edhe më parë. Veç kësaj, Akademia e Arteve ka një spektator të sajin dhe të vazhdueshëm, i cili bën dallimin kur është diçka e re dhe e mirë, si dhe kur është diçka që e ka parë vazhdimisht, por në fund të fundit janë duartrokitjet ato që do të japin vlerësimin final.
Ku jeni mbështetur në përzgjedhjen e këtij repertori?
Jam bazuar në pjesë, të cilat jam e sigurt se nuk janë vënë asnjëherë në Shqipëri, në asnjë lloj skene. Jemi bazuar në repertorin botëror, por asgjë nga këto koreografi nuk është kopjuar, por thjesht gjithçka është e përshtatur për një shfaqje “shqiptare” gjatë natës së 10 shkurtit. Koreografitë në vetvete janë të reja, të përshtatshme për skenën dhe për elementin e balerinëve që do të interpretojnë në atë skenë. Për këtë kurs po ashtu për herë të parë ndërhyjnë edhe në dramaturgji të pjesës. Në qoftë se më parë janë vënë thjeshtë pjesë baleti, kërcime, duete, trio, monologë, variacione meqë në fund të fundit për të tilla zotërimesh ato përgatiten, tani po futen në një tjetër fazë, e cila është dramaturgjia. Kjo vjen për arsye që një koreograf i mirë, të jetë edhe një regjisor, skenograf i mirë dhe të ketë njohuri të zgjeruara edhe në zhanre të tjera, ndaj koreografia është e konceptuar si degë e fakultetit të artit skenik.
Cilat janë rrymat që do të lëvrohen në këtë muzikal, në të tria pjesët e tij?
Janë të përshtatura në varësi të tre pjesëve. Njëra prej pjesëve ka nuanca indiane dhe në këtë rrafsh ne nuk mund të dalim jashtë karakterit të kësaj rryme, pavarësisht se batutat dhe dialogët i kemi përshtatur me vendin tonë. Në pjesën e parë, gjuha koreografikë është një gjuhë e ndërthurur, kontemporane, me pak hip-hop dhe latine, ndërsa në pjesën “Mama mia” do të pikasen lëvizje dhe elementë të muzikës së viteve ’70, të harmonizuara edhe me kërcimin e ditëve moderne, sepse edhe vetë ata nuk mund t’i luajnë si në atë kohë.
Kjo shfaqje do të vihet më 10 shkurt, me aq sa i keni parë përgatitjet e studentëve, cila është nota që u vini paraprakisht?
Nuk mund t’u vendos dot notë, sepse unë e quaj veten pjesë të këtij aktiviteti. Por në të vërtetë jam pak e rreptë në vlerësime dhe notën maksimale nuk i kam vëne askujt, kjo edhe për arsye se as vetes sime nuk i kam dhënë asnjëherë notën maksimale. Por, notën do t’ia vërë vetëm spektatori. Ajo pjesë që do të jetë më tepër e duartrokitur, do të jetë me e realizuar, por personalisht mua më pëlqejnë të tria pjesët, sepse janë krejtësisht ndryshe nga njëra-tjera.
Cili është kontakti që i lidhni studentët me informacionin se çfarë ndodh në Perëndim në botën e koreografisë, për të qenë sa më në koherence me të?
Nëse flas si katedër në këtë rast, kemi një lidhje shumë të mirë mes njëri-tjetrit dhe mundohemi që të jemi sa më koherentë me kohën, pavarësisht se ku jetojmë dhe çfarë transmetohet nëpër televizione. Në Akademinë e Arteve zhvillohen pothuajse të gjitha zhanret, si klasike, moderne, apo kontemporane. Ne e kemi menduar shkollën si një laborator, duke mundësuar shumë ide të reja dhe të kohës. Kjo vjen nëpërmjet të rinjve, por ne si udhëheqës kursi, i drejtojmë drejt shinave të duhura. Repertori në krijimtari zgjidhet nga studentët, ndërsa në lëndët e tjera ua ofrojmë ne, sepse këtu nuk aplikohet vetëm koreografia. Ka disa baza dhe një program të caktuar, ku ne vetë i nxisim që ata të sjellin ide të reja. Por në të njëjtën kohë i dimë edhe aftësitë e studentëve, duke na lënë të kuptojmë se çdo njëri prej tyre ka individualitetin dhe personalitetin e tij. Pikërisht këtu ai formohet si balerin, ashtu edhe si koreograf. Duke pasur parasysh studentin, neve kërkojmë maksimumin prej tij, në atë gamë që ai jep më të mirën e vet.
Në bazë të punës suaj me studentë, gjatë viteve të fundit a keni vënë re një zbehje, apo një dëshirë të theksuar për baletin nga të rinjtë?
Si pedagoge e brendshme në Akademinë e Arteve unë jam emëruar në vitin 2000, pavarësisht se më parë unë punoja edhe si e jashtme në këtë shkollë. U bënë tetë vjet që unë jap mësim këtu, ndërkohë që gjatë kësaj kohe kam vënë re një rritje të kërkesës për të bërë një shkollë koreografie, edhe pse jo të gjithë janë në gjendje ta kuptojnë se çfarë do të thotë të mbrosh një degë të Akademisë së Arteve. Nga pamja e jashtme për të gjithë dukjet si diçka e lehtë, e bukur e këndshme, por në të vërtetë ata përballen me një tjetër realitet. Megjithatë, kam vënë re se të rinjtë e duan baletin dhe për këtë dëshira ka ardhur vetëm duke u rritur.
Cila është rryma muzikore pas së cilës ata rendin më së shumti?
Mendoj se studentët janë ende shumë të rinj për t’u identifikuar me një rrymë të specifikuar, por unë personalisht i shtyjë që t’i mësojnë të gjitha, me qëllim që në një të ardhme ata do ta gjejnë vetveten në atë që duan të mësojnë. Nëse një regjisori i kërkohet një muzikë latine, apo hip-hop, ata do të jenë të aftë ta realizojnë dhe asnjëherë të mos i thonë “jo” një kërkese të ngjashme. Pra, kjo është edhe ideja kryesore. Megjithatë, të gjithë duhet të jetë të gatshëm që të realizojnë një vepër artistike në një spektakël, qoftë skenik, televiziv, duet, apo solo, të dinë ta përballojnë.
Ecim pak ndërvite. Ju mbaheni mend si një nga koreografet jo vetëm të Teatrit të Operës dhe Baletit ku keni punuar, por dhe në botën televizive, që keni thyer tabutë duke i dhënë baletit shqiptar frymën moderne...
Tek unë ekzistojnë dy lloj dimensionesh profesionale, si koreografe në spektaklet televizive, ku kam marrë pjesë, por në të njëjtën kohë edhe si pedagoge, fillimisht në shkollën e baletit dhe më vonë në Akademinë e Arteve, pasi në atë kohë edhe vetë kërkoja një ngritje profesionale. Bumi më i madh, i cilësuar si thyerja e një tabuje do ishte që në fillim të viteve ’90, do të ishte dalja paksa nga kërcimet klasikes, ku përveç tyre nuk ekzistonin rryma të tjera. Ne ishim ai brez që futëm elementë të rinj në kërcim dhe për herë të parë u bënë spektakle televizive vetëm me kërcimin. Për mua ky ishte bumi më i madh. Edhe sot e kësaj dite ka televizione që kanë në vetvete trupa baleti të ngritura, të cilat kanë ardhur si pasojë e rrugës që arritëm të hapnim ne. Ndërsa sa i përket anës pedagogjike, ajo çfarë kërkoj prej studentëve janë elementët që u kam mësuar për vite me radhë, ndërkohë që kur ato i shpërfaqin këto elementë në skenë, pavarësisht koreografit prej të cilit drejtohen, për mua kjo është një tjetër arritje. Shikon një pasardhës që ka arritur nivelet më të lara në skenë. Është një kënaqësi më vete.
Ju keni qenë pjesë e TKOB, ndërkohë që morët vendimin për t’u tërhequr. Pse?
E ndjeja veten më mirë në Akademinë e Arteve, sepse koreografen e bëj edhe me këta elementë që kam këtu, ndërsa në Teatrin e Operës më mungonte pedagogjia. Pedagogjia për mua është t’i japësh më të mirën nga vetja atij që në të ardhmen dëshiron të jetë një pasardhës i imi, një koreograf, ndërsa në opera nuk të jepet kjo lloj mundësie. Je thjesht vetëm një koreografe, si dhe vihen në skenë ato që kam në mendje, ndërkohë që në Akademinë e Arteve mund t’i shpalosësh në të njëjtën kohë të dyja këto drejtime, si koreografinë dhe mëson që ata të bëhen koreografë.