E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realiteti i NATO-s



Tema e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, vazhdon të zërë një vend qendror në vëmendjen e politikës shqiptare, të opinionit publik dhe madje edhe të kancelarive perëndimore.

Pavarësisht ndonjë shqetësimi pa baza të ratifikimit slloven të Protokollit të Anëtarësimit; politikisht Shqipëria e ka fituar përfundimisht vendin e saj si anëtare e NATO-s, siç bëhet e qartë zyrtarisht nga Brukseli, Lubjana, por edhe nga Parlamenti dhe qeveria shqiptare.

Pra, asnjë pengesë politike, juridike apo ushtarake nuk ngrihet ndaj vendit tonë. Dje u konfirmua se Franca u bë vendi i 20-të i Aleancës së Veriut që ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Gjithashtu, vizita e mundshme e Presidentit amerikan, Obama, në prill të këtij viti, është një shenjë tjetër e qëndrimit të vazhdimësisë së mbështetjes të SHBA-së për Shqipërinë.

Gjithsesi, duhet pritur certifikimi final i anëtarësimit në samitin e ardhshëm, përderisa gjërat shkojnë mirë në planin politiko-juridik e procedural.

Ajo çka pritet për mirë do të ndodhë. Ajo çka unë desha të tërheq vëmendjen, jo vetëm të kolegëve deputetë, por më tepër të strukturave drejtuese politiko-ushtarake, është që të ripërsëris apelin që puna e FA-së duhet të vijojë më me ritëm e përgjegjësi, për të përmirësuar më tej perfomancën e mirëvlerësuar deri tani e për të demonstruar para partnerëve se forcat tona të armatosura vijojnë programet e tyre me seriozitet e përkushtim.

Pavarësisht faktit se ekipet e inspektimit të Aleancës kanë vlerësuar pozitivisht operacionalitetin e strukturave tona, e sidomos veprimtarinë e kryer në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Irak, Çad etj., objektivat finale që MM-ja e Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat e njësive janë duke u plotësuar, kërkojnë më shumë punë intensive.

Shqetësimi im nuk lidhet me pasivitetin e plogështinë, pasi këto nuk janë ndjeshëm prezente, por me rritjen e tempit dhe përshpejtimin e plotësimit njëqind për qind të standardeve të kërkuara.

Një varg detyrash lidhen me përmirësimet strukturore. Për këtë, grupe pune të veçanta nën asistencën e ekspertëve amerikanë e të vendeve të tjera partnere janë duke punuar. Ajo që kërkohet është se zgjidhje të këtij lloji nuk durojnë zgjatje në kohë.

Nëse ka mendime për shkrirje apo ristrukturim njësish, shtabesh e komandash, ato duhen konkretizuar në kohë sa më të shkurtër e të bëhen eficiente.

Natyrisht, diskutimet e debatet profesionale janë të nevojshme, por kur ato bëhen me afate të papërcaktuara mirë, sjellin një lloj pritjeje e mungese entuziazmi në punën e kuadrove e të efektivave, një lloj pasigurie për vazhdimësinë me ritëm e disiplinë të fortë.

Në këtë kuptim në nivelin e vendimmarrjes politike, por edhe në atë shtabeve e komandave duhet të operohet më shpejt.

Në kuadër të objektivave madhore për t’u integruar sa më mirë në strukturat e NATO-s strukturat përkatëse të MM-së janë duke punuar edhe për përmirësimin e paketës ligjore. Në këtë drejtim, sidomos tri vitet e fundit, janë bërë hapa shumë të mirë.

Megjithatë, përshpejtimi i rishikimit tërësor të një sërë ligjesh e vendimesh të KM-së manualeve e doktrinave, është në rend të ditës. Krahas grupeve të punës me specialistë, ndoshta është e nevojshme të organizohen edhe tryeza diskutimesh me grupe të ndryshme ushtarakësh me përvojë, në mënyre që aktet të jenë sa më të plota e të qëndrueshme pa pasur nevojë që të amendohen shpesh.

Rezultatet e arritura nga FA-të në veprimtaritë e tyre, brenda dhe jashtë vendit, e kanë rritur imazhin e ushtarakëve në sytë e opinionit publik. Megjithatë, disa veprimtari siç janë edhe ato të mobilizimit për shërbim të detyrueshëm të qytetarëve, e për rekrutimin e ushtarëve profesionistë duhet të shihen më me vëmendje.

Pavarësisht detyrimit ligjor të shtetasve për t’u përgjigjur thirrjes nën armë nga qendrat e mobilizimit, këto të fundit nuk mund të zgjidhin problemin vetëm nëpërmjet sanksioneve të detyrimit.

Edhe ligji i shërbimit ushtarak, por edhe kompetencat e organeve të pushtetit vendor nga prefektët e deri tek kryepleqtë e lagjeve apo të fshatrave imponojnë një bashkëveprim e bashkëpunim sa më të mirë për të mos krijuar skena të papëlqyeshme.

Në këtë aspekt, ushtarakët apo civilët e ngarkuar për të ndjekur e zbatuar procedurat e mobilizimit nuk duhet të bëhen të gjallë vetëm gjatë ditëve fushate për mobilizim, por të njohin situatën e burimeve njerëzore, të zbresin në terren gjatë gjithë kohës në mënyrë që të mos komprometojnë artificialisht vullnetin e shqiptarëve për të shërbyer në një forcë ushtarake që tashmë de fakto është strukturë e NATO-s.

Pavarësisht ndarjes së detyrave midis institucioneve, duke e konsideruar Shqipërinë si një vend i NATO-s, mendoj se edhe ne si deputetë, duhet të bëhemi pjesë e kontributit për të lartësuar edhe më tej performancën e FA-ve.

Kjo nuk ka të bëjë thjesht me imazhin e ushtarakëve, por me integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe me seriozitetin e plotësimit të objektivave që Parlamenti, qeveria dhe institucionet shqiptare i kanë caktuar vetes.

*Deputet në Kuvendin e Shqiperise

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›