E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papavrami në Prishtinë



Violinisti Tedi Papavrami sonte do të jetë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Me këtë tur në Kosovë ka filluar kështu me befasi sezoni koncertal i vitit 2009 për Papavramin, i cili jeton në Francë. Prezenca e tij në Prishtinë tanimë është bërë axhendë, kur para dy vitesh ka mbajtur një koncert me Filarmoninë, ndërsa tani prezantohet me koncert solistik. Evenimenti vjen në regjinë e fondacionit “Argjiro”, i cili organizon festivalin në Gjirokastër, që bazohet në idenë e gërshetimit të muzikës popullore polifonike dhe asaj serioze me moton: “Muzika e dy botëve”. Dje mediat kosovare kanë shkruar mbi këtë event kulturor, duke e ballafaquar violinistin me situatën muzikore midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilën Papavramin është shprehur: “Në fakt qendra e jetës muzikore e një vendi nuk janë solistët, por orkestrat. Është një rrugë e vështirë dhe e gjatë që të formosh orkestra të mira, sidomos kur prioritetet ekonomike nuk janë në këtë fushë. Duhen salla pune, koncerte te mira, rroga për muzikantë, përzgjedhje e mençur e dirigjentëve që do të punojnë me orkestrën dhe një dozë ideali nga vetë muzikantët, sepse ndodh shpesh që të gjitha këto nuk mjaftojnë. Fatkeqësisht sot muzika klasike, edhe në qytetet më me traditë në Evropë, jeton në shumicën e rasteve në saje të sponsorëve dhe ndihmave shtetërore. Ne një shoqëri ideale muzika, letërsia, dhe artet figurative duhet të ishin në epiqendër të jetës së një qyteti”. Ndërsa për emocionet që po e ndjekin violinistin në këtë koncert, gjithnjë lidhen me natyrën e tij idilike, pak të tërhequr, larg të qenit i famshëm dhe rebelues i komercializmit. “Në fakt para çdo koncerti jam i preokupuar nga përgatitja dhe dua të luaj sa më mirë, kudo që të jetë, ngase emocionet e skenës nuk anticipohen. Kam kujtimin e një pritjeje jashtëzakonisht të ngrohtë dhe prekëse të koncertit të fundit që dhashë në Prishtinë me orkestër, por urimi i vetëm që kam është, që njerëzve që vijnë për të më ndjekur mua, t’u jap kënaqësinë dhe ëndërron nëpërmjet muzikës”, - ka thënë Papavrami.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›