E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, mazhoranca, akuza Ramës për blerje votash



Mazhoranca akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama për blerjen e votave gjatë votimit për buxhetin e bashkisë. Përfaqësuesit e djathtë kritikuan në seancën e djeshme parlamentare kreun e opozitës Edi Rama për sjelljen e tij gjatë votimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, akuzoi Edi Ramën se ka blerë vota me para, njëkohësisht ka bërë presion për vota pro në Këshillin Bashkiak. Patozi e etiketoi Ramën si stalinist. “Edi Rama ka një koncept stalinist për votën të cilën kërkon ta blejë ose ta marrë nën presion. Nuk dua të ndalem në perversitetin e dëshmuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës gjatë votimit të buxhetit, por në konceptin stalinist që kryetari i opozitës ka për votën. Konceptin e Ramës “ju votoni, unë numëroj”, në një kohë kur po kërkojmë të shkojmë drejt zgjedhjeve me standarde, duhet ta shikojmë si një kërcënim. Partia që po kërkon perfeksion në afatet dhe mënyrën e shpërndarjes së kartave të identitetit, ka këtë koncept stalinist për votën”, - deklaroi Patozi. Reagimi i opozitës erdhi nëpërmjet kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Ajo deklaroi se rëndësi ka miratimi i buxhetit, ndërsa të tjerat sipas saj, nuk kanë vlerë. “Unë prisja që ju të kërkonit falje për sjelljen e padenjë, dhe të gëzoheshit për buxhetin e qytetarëve të Tiranës. Të gjitha të tjerat s'kanë asnjë vlerë. Të jeni të sigurt që përgjigjen do ua japin shqiptarët në qershor”, - tha Leskaj. Pas fjalës së Leskajt në Kuvend, reagoi edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha se kryetari i opozitës nuk do të ketë mundësi që në qershor të numërojë votat siç i numëroi në Këshillin Bashkiak. "Nuk kemi parë kurrë ndonjëherë që votat të mos i numërojë kryetari i Parlamentit. Zhvillojeni, mësojeni në qoftë se ai do të vijë në Parlament radhën e ardhshme, do të ketë mundësi të shohë se si do të votohet buxheti i pestë i Partisë Demokratike dhe se si numërohen votat. S'ka “unë votoj dhe unë numëroj”. Pse, Edi Rama do numërojë votat e shqiptarëve më 28 qershor? Harrojeni”, - tha Topalli. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Patozi, u kërkoi deputetëve të opozitës të distancohen nga sjellja politike e kryetarit të Partisë Socialiste. “Dua t'i jap një këshillë miqësore kolegëve të opozitës që kanë nisur të numërojnë ditët deri në zgjedhje, që të mos e bëjnë më këtë sepse është qesharake, në një kohë kur nuk po nxjerrin dot programin se kanë frikë se po jua kopjojmë ne apo LSI-ja”, - tha më tej Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›