E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kraja: HEC-i i Kardhiqit, konform kuadrit ligjor

Kraja hodhi poshtë akuzat e ngritura nga opozita, se kompania “Alba Energjia Plus” me përfaqësues Arjan Tartarin ka marrë dy kontrata koncesioni jo nëpërmjet një procedure të hapur konkurrimi, por nëpërmjet bonuseve të dhëna drejtpërdrejt si dhe ka marrë 6 hidrocentrale brenda një dite.

Sipas tij, ky informacion nuk është i saktë, pasi ai nuk përfaqëson aspak të vërtetën. “Kompania ‘Alba Energjia Plus shpk’ është ndër disa dhjetëra kompani shqiptare që kanë marrë iniciativën e vështirë për të investuar në sektorin hidroenergjetik shqiptar”, tha Kraja.

Ai shtoi se koncesionet për ndërtimin e hidrocentraleve janë tërësisht private, ku investitori merr riskun e projektimit, ndërtimit, operimit, rinovimit të teknologjisë si dhe transferimit tek shteti brenda 35 viteve.

Kraja tha se bëhet fjalë vetëm për një kontratë koncesioni për shfrytëzimin hidroenergjetik të lumit Kardhiq, ndërkohë që procedura e evidentimit dhe e prezantimit të këtij propozimi ka qenë në 21 mars 2007, dhe vetëm pas një procesi të gjatë e kompleks vlerësimi në përputhje me procedurat dhe afatet ligjore në fuqi, është firmosur kontrata me ofertuesin fitues në datën 9 shtator 2009.

“Gjatë gjithë periudhës 3-vjeçare, METE dhe stafi i saj kanë qenë subjekt i kontrolleve të njëpasnjëshme nga organet e specializuara shtetërore në lidhje me pretendimet e ngritura nga palët si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria, Departamenti Antikorrupsion dhe nga Auditimi i Brendshëm dhe në asnjë rast nuk është vënë re asnjë shkelje jo vetëm në këtë garë, por edhe në garat e tjera”, u shpreh Kraja.

Ai ftoi deputetët e PS të tërheqin të gjithë informacionin e duhur pranë METE për të kuptuar se pretendimet e tyre nuk qëndrojnë.

Partia Socialiste ka akuzuar ditët e fundit e në vijimësi ka akuzuar deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, se ka ndikuar në dhënien e licencës për kompaninë e Arjan Tartari, bashkëjetues i saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›