Kraja i jep Vllaznisë tri pikë të rëndësishme ndaj Laçit
Pas dy humbjeve sezonale me Laçin (3-1 në Laç dhe 2-1 në Shkodër), Vllaznia fitoi 1-0 kundër kurbinasve në “Loro Boriçi”, falë një goli të realizuar me kokë nga mbrojtësi Elvis Kraja në minutën e 16 pas goditjes së lirë të ekzekutuar nga Safet Osja. Goli i parë i Krajës për këtë sezon. Kishte dështuar në dy herët e tjera me skuadrën kurbinase, debutuese në Superiore këtë edicion. Në kuadrin e javës së 24-t, kuqeblutë kanë marrë tri pikë të çmuara në fushën e tyre, edhe pse nuk kanë spikatur në lojën e tyre. Madje, në pjesën e dytë kanë vuajtur presionin e miqve kurbinas, që kanë sulmuar furishëm, madje në një rast kanë goditur edhe traun e portës së Grimës, me Emiliano Veliajn. Vendimtare ka qenë minuta e 16 e ndeshjes, ku Safet Osja ka ekzekutuar një goditje dënimi afër këndorës së majtë, duke e dërguar topin në lartësi, në zonën laçiane, aty ku portieri mik, Llani, ka hezituar të ngrihet e ta grushtojë sferën, duke lejuar Elvis Krajën të godasë me kokë dhe rrjetë. Gjithçka ka ardhur pas një momenti të dyshimtë, kur sulmuesi Bala i Vllaznisë është penguar në zonën kundërshtare, i vetëm, nga portieri Llani, por gjyqtari Enea Jorgji ka vijuar lojën. Protesta të fuqishme të vendasve, por asgjë nuk ka ndryshuar. Për t’u pasuar me golin e Krajës, që u ka dhënë tri pikët kuqebluve, në një ndeshje të luftuar fort nga të dyja palët.
#