Fundjava e mbijetesës, Tirana bie në Vlorë
E çuditshmja, e cila të bën të dyshosh se ishte vetëm koincidencë, është se në këtë fundjavë të kampionatit shqiptar, ku janë luajtur të gjashtë ndeshjet javës së 24 të Kategorisë Superiore, nuk ka fituar asnjë ekip i gjysmës së parë të tabelës së klasifikimit. Ndërkohë që të gjithë trepikëshat kanë shkuar për skuadrat në luftë për mbijetesë, duke zhvlerësuar çdo ndryshim të mundshëm në tabelën e renditjes, pasi të gjithë ekipet kanë ruajtur vendet përkatëse që kishin para këtyre sfidave të fundjavës. Prandaj duket sikur e gjithë vëmendja jo vetëm e opinionit sportiv, por edhe e vetë aktorëve të futbollit është përqendruar në zonën e ftohtë, e cila duket se do të bëhet edhe më interesante, ndoshta dhe falë barazimit të ndershëm mes Apolonisë dhe Teutës, të cilat së bashku me Shkumbinin, me këtë ritëm, e shikojnë veten të rrezikuar për t’u përfshirë shumë shpejt në luftën për mbijetesë. Nisur nga këto “koincidenca” të shumta, kompanitë e basteve as nuk i kanë kuotuar fare ndeshjet e kampionatit shqiptar. Kjo duket se ndikon në humbjen e besimit për një futboll të vërtetë në Kategorinë Superiore. Megjithatë, të mos i biem në qafë kot Flamurtarit dhe Tiranës, të cilat duket se nga ana e tyre janë përpjekur të japin maksimumin, për të rregulluar atë imazh të shëmtuar që lanë pas përballjet e së premtes dhe së shtunës, ku Kastrioti, Skënderbeu e Gramozi, kanë shokuar të gjithë, madje edhe me gola të shumtë. Në Vlorë ka pasur një ndeshje me përmbysje, por edhe me veprime tepër të dyshimta të gjyqtarëve. Një gol i anuluar për Tiranën, por edhe goli i dytë i vlonjatëve, i pretenduar në pozicion jashtë loje nga bardheblutë, është kontestuar fort. Pas një jave të tejmbushur me polemika midis dy kampeve, Flamurtari përmbysi dizavantazhin e pjesës së parë, duke fituar 3-1 me Tiranën, në takimin përmbyllës në javën e 24-t të Kategorisë Superiore, fitorja e dytë me këtë rezultat ndaj kampionëve në fuqi, duke llogaritur edhe atë të arritur në javën e parë të fazës së parë. Me Devi Mukën trajner e lojtar në fushë, Tirana dominoi në pjesën e parë në takimin kundër Flamurtarit në Vlorë. Ishte kapiteni-trajner, ai që dha asistin e golit të realizuar nga Sebino Plaku në minutën e 20, pas një goditjeje të bukur nga ish-lojtari i Dinamos. Ndërsa fraksioni i dytë i lojës ka sjellë edhe përmbysjen kuqezi. Veliu (52’) barazon rezultatin, Shenaj (75’) kalon në epërsi vendasit. Një gafë tjetër e portierit Nallbani, solli edhe golin e tretë për vlonjatët, që mban firmën e një “ish”-i, pikërisht Memellit. Flamurtari barazoi me pikë Skënderbeun, të dy me nga 27 pikë, por me vlonjatët me golavarazh më të mirë, duke ndarë kështu vendet 10-11, e me Gramozin në vendin e fundit me 22 pikë.
#