Krasniqi: BE-ja e SHBA-ja na kanë bërë presion

Në lidhje me mundësinë e hapjes së çështjes së veriut në bisedime me Serbinë, Jakup Krasniqi ka paralajmëruar se një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me vendimet relevante për dialog dhe se përgjegjësia do të binte mbi ata të cilët kanë hyrë në bisedime, duke aluduar në qeverinë dhe në kryeministrin Thaçi.
Kreu i Legjislativit, Jakup Krasniqi, ka pranuar se faktori ndërkombëtar u ka bërë presion institucioneve shtetërore në procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të cilat së fundmi janë quajtur politike nga vetë ndërmjetësuesi i tyre, Robert Cooper.
Kryetari Krasniqi ka theksuar se “edhe Brukseli dhe politika e Departamentit të Shtetit amerikan kanë bërë presion tek institucionet e Kosovës për të zhvilluar bisedimet edhe pse në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme bisedimet kanë qenë teknike, ato nuk kanë qenë thjesht teknike”.
Krasniqi ka shtuar se presioni duhet të bëhet mbi Beogradin, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.