E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Bisedimet politike kanë përfunduar në vitin 2007

Nga Express më 04 tetor 2011 në ora 13:26

Deklarimeve për dhe kundër bisedimeve politike, iu është bashkuar të martën edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi. Por qëndrimi i tij dallon nga qëndrimi i presidentes Atifete Jahjaga dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Krasniqi ka thënë se bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar në vitin 2007 dhe nuk ka asnjë arsye të fillohen prapë bisedimet e këtij niveli.

Kreu i legjislativit të vendit ka deklaruar se zyrtarisht nuk ka ndonjë material përmes së cilit kërkohet prononcim zyrtar i Kuvendit lidhur me këtë çështje.

I pyetur shkurt nëse është pro apo kundër bisedimeve teknike, ai ka thënë se nuk është as pro as kundër.

“Unë as nuk jam kundër as për. Duhet të kem një material zyrtar, i cili në një mënyrë është një lloj kërkese ku definohet çështja për çka të bisedohet. Tani për tani nuk kemi asnjë material mbi bazën e të cilit do të jepnim një mendim që do të ishte në interes të opinionit”, është shprehur Krasniqi.

Sidoqoftë, ai ka thënë se tash për tash ka bisedime teknike të cilat janë ndërprerë dhe të cilat janë të mbështetura edhe në rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Për bisedime të reja politike, ai ka thënë se së pari duhet të ndryshohet rezoluta në Kuvendin e Kosovës.

“Natyrisht ju e dini që ne e kemi një rezolutë që e kemi nxjerrë për çka mund të bisedohet dhe për çka nuk mund të bisedohet, bile më shumë e kemi për çka nuk mund të bisedohet. Prandaj duhet të ndryshohet kjo rezolutë në Kuvend, për të nxjerrë një rezolutë tjetër për të miratuar vazhdimin e bisedimeve politike, por nuk besoj që do të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Krasniqi.

Me gjithë përpjekjen e tij për të mos dhënë një deklarim të qartë rreth idesë për bisedime politike, të përkrahur edhe nga një pjesë e spektrit politik në Kosovë, Krasniqi ka mbrojtur qëndrimin se bisedimet politike kanë përfunduar në vitin 2007.

“Unë jam i bindur që bisedimet politike janë përmbyllur në Vjenë në vitin 2007 dhe në vitin 2008 është shpallur pavarësia e Kosovës dhe në këtë rrafsh unë nuk shoh arsye për t’u zhvilluar bisedime politike”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.

Ndryshe, bisedimet politike janë përmendur ditë më parë nga kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë që bisedimet të kalojnë në nivel politik. Këtë nivel të bisedimeve e ka mbështetur edhe presidentja Atifete Jahjaga, edhe partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare vazhdon të heshtë përballë kësaj çështje, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje një ditë më parë ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve me Serbinë, qofshin ato edhe teknike, duke i cilësuar këto bisedime si parathënie për bisedime politike. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›