Ndryshimi i kufijve i rrezikshëm për gjithë rajonin

Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi pas një takimi që ka zhvilluar me kryetaren e Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Ileana Ros Lehtinen, ka thënë për Kosovapress se beson fuqimisht që nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Sipas tij, nëse ndryshojnë kufijtë e tanishëm në Kosovë, atëherë do të bëhen shumë ndryshime të kufijve në rajon.
Në këtë rast, Joe DioGuardi ka thënë se angazhimi i tij për çështjen e Kosovës do të vazhdoj edhe më tutje, sikurse që ishte më parë. Ai përkujtoi se më
5 janar të vitit 1992 me kërkesën e tij dhe të Ligës, ish- kongresmeni Tom Lantosh e vuri rezolutën e parë në Kongresin Amerikan për pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, ky ishte edhe fillimi i fundit të Sllobodan Millosheviqit dhe fillimi i fundit të idesë për Serbinë e madhe. Joe DioGuardi ka thënë se edhe tentimet aktuale të Beogradit për të ndarë një pjesë të Kosovës, janë të pa realizueshme.
“Tani që Serbia dëshiron të futet në Unionin Evropian dhe ju e dini se çfarë ka thënë Angela Merkel në takimin me Boris Tadicin, që nëse Serbia dëshiron të bashkohet me Unionin Evropian, ajo duhet të eliminojë të gjitha institucionet paralele që i ka krijuar në Kosovë, të largohen nga kufiri, jo ndarje të Kosovës, jo ndarje të Mitrovicës, jo ndarje të shqiptarëve dhe serbëve në veri të lumit Ibër”, ka thënë ai.
Ai bëri të ditur se mesazhin kundër ndarjes së Kosovës ia kanë përcjell kongresistes Ileana Ros-Lehtinen, e cila do ta dërgojë këtë kërkesë edhe në Departamentin e Shtetit. Joe DioGuardi beson se qëndrimi i Kongresit Amerikan do të jetë shumë i qartë kundër ndarjes së Kosovës.
Çështja është se tani nuk ka zgjidhje tjetër, Unioni Evropian duhet ta kuptojë se nëse ndryshohet ndonjë kufi pa marrë parasysh se sa shumë ndryshohet atje do të ketë tensione gjithandej ku janë shqiptarët, duke filluar në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe ndoshta edhe në Mal të Zi, pra nuk guxon të ndërrohet asnjë kufi dhe ky ishte mesazhi që iu dha kongresistes Ileana Ros-Lehtinen”, është shprehur ai.
Sipas tij, tani nuk është koha që Kosova të dorëzohet, sepse serbët duan që të bëjnë diçka që nuk është e drejtë dhe nuk do të ketë përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare.
Ndër të tjera, Joe DioGuardi thotë se tani kur Kosova është njohur nga Shtetet e Amerikës dhe 83 shtete të tjera, angazhimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të jetë i fokusuar që Kosova të mbetet e bashkuar.