Vret për pozitë
Remzi Salihu, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, është qëlluar të hënën paradite për vdekje në zyrën e tij të punës.
Ai ndodhej në objektin e ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”, kur një person ka arritur që të shmangë sigurimin e objektit dhe me armë ta vrasë brenda zyrës kreun e arsimit të Kryeqytetit.
Si i dyshuar në lidhje me këtë rast, policia ka arrestuar Gani Sahitin (30) nga fshati Graxhenik i Kamenicës me vendbanim në kryeqytet, ish-arsimtar i biologjisë në shkollën fillore nëntëvjeçare “Dëshmorët e Prillit 99, Azemi e Salihu” në fshatin Dabishec të Prishtinës.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orën 9 e 53 minuta, kurse, tashmë i ndjeri Remzi Salihu, nga plagët e marra me armë zjarri, ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në orën 10 e 20 minuta.
Motivet e kësaj vrasjeje ende nuk janë bërë të njohura zyrtarisht, ndërkohë që dyshimet e para janë se akti është kryer në shenjë hakmarrjeje, e cila ndërlidhet me mospërzgjedhjen e të dyshuarit, në postin e drejtorit të shkollës në fshatin e thellë malor. Por zyrtarisht, ende nuk ka ndonjë version të saktë.
Fshatarët e Dabishecit papritur janë bërë objekt diskutimi në tërë Kosovën. Paraditen e së hënës, derisa shumë prej tyre hanin mëngjes, pa ditë asgjë, në lajme panë se një nga arsimtarët e fshatit të tyre dyshohet se ka vrarë drejtorin e Drejtoratit të Arsimit në Komunën e Prishtinës.
“Jam çuditë. Në fillim mendova se ka ndonjë Dabishec tjetër”, thotë një nga fshatarët e këtij vendbanimi malor, që ndodhet rreth 35 kilometra në verilindje të Prishtinës, në kufi me Serbinë. Një nga banorët e Dabishecit tha për Express se arsimtari i biologjisë, i dyshuar për këtë vrasje, ka qenë person shumë i kualifikuar dhe i sjellshëm.
“Ai ka qenë i vetmi në shkollën tonë me diplomë. Arsimtarët e tjerë janë gati të gjithë me normale”, thotë ai, në kushte anonimiteti.
Sipas tij, i njëjti arsimtar, është rrahur edhe në prillin e këtij viti nga disa persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me drejtorin aktual të shkollës, Hamdi Hysenin.
“Hamdiu ka gati 20 vjet që është drejtor në këtë shkollë, e kurrë nuk është ndërruar”, thotë ky banor i Dabishecit, vendbanim që nga shpërnguljet ka mbetur vetëm me disa shtëpi.
Megjithëkëtë, pretendimet e tilla i hedh poshtë drejtori i shkollës, Hamdi Hyseni. Ai thotë se që nga dita e parë kur personi tashmë i arrestuar si i dyshuar për këtë vrasje, Gani Sahiti, ka shkuar si arsimtar i biologjisë në shkollën e fshatit, ka vërejtur se nuk është mirë nga ana psikike.
“Ai ka punuar pesë vjet në shkollën tonë e ka gjashtë muaj që e ka lëshuar punën”, thotë drejtori Hyseni për Express.
Duke mohuar në mënyrë kategorike se ai ka të bëjë diçka me këtë rast, drejtori gjithashtu nuk pranon se ka gisht në rrahjen e arsimtarit në pranverën e hershme të këtij viti.
“Me pas pasë ai ngatërresa me mua, m’kish vra mua. Edhe me arsimtarë të tjerë është rrokë disa herë”, thotë drejtori, i cili jeton në fshatin Prapashticë, që ndodhet ngjitur me Dabishecin.
Për më tepër, drejtori aktual i shkollës beson se i dyshuari ka një të kaluar me grupe të cilat i quan “ilegale islamike”, ndonëse kur pyetet se kush janë ato, nuk jep ndonjë përgjigje duke thënë se “hetuesia duhet t’i zbulojë”.
Më tej, Hamdi Hyseni tregon se për të gjitha problemet që ka pasur me ish-arsimtarin e biologjisë, e ka njoftuar edhe drejtoratin për Arsim të Komunës së Prishtinës, organ të cilin e drejtonte tashmë i ndjeri Remzi Salihu.
“Nuk besoj se vrasja ka ndodhur për moszgjedhjen e tij drejtor të shkollës. Kjo është e pakuptimtë. Me nisë tash me vra njerëz pse nuk zgjidhesh drejtor, kjo nuk shkon”, thotë Hyseni për Express.
Por në një kronikë televizive të transmetuar në prill të këtij viti nga televizioni Klan Kosova, arsimtari Gani Sahiti kishte thënë se është rrahur nga dy persona, të cilët derisa e qëllonin, i thoshin se nuk ka çfarë të kërkojë të bëhet drejtor i shkollës në Dabishec.
“Ata më thanë se nuk mund të bëhesh drejtor këtu, se përndryshe do të shkojë gjaku si n’Teksas”, ishte shprehur arsimtari, i cili tash është i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e zyrtarit komunal të arsimit në Prishtinë.
“I pari më ka goditë Rrahman Hyseni, në bark, pastaj më ka goditë edhe Dritoni, e kështu dhjetë goditje i kam marrë nga ta. Arsyeja e vetme ishte pse nuk i kam dëgjuar çfarë më kanë thënë”, kishte deklaruar Gani Sahiti, duke pretenduar se të dy personat ishin të afërm të Hamdi Hysenit, drejtorit aktual të shkollës në fshatin Dabishec. Në atë kohë, edhe vetë drejtori Hamdi Hyseni e kishte konfirmuar se dy personat që përfliteshin se e kishin rrahur arsimtarin e biologjisë, janë familjarë të tij, por kishte mohuar se ka gisht në këtë vepër. “Unë s’di çfarë mund të them më tepër. Nëse ka ndodhur diçka, është hetuesia”, ishte shprehur ndër të tjera drejtori i kësaj shkolle.
Sipas Agron Borovcit, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, personit të dyshuar për vrasje, i është konfiskuar arma dhe është dërguar në qendrën e paraburgimit. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, këtë ngjarje e ka përshkruar si tragjedi.
“Në Komunën e Prishtinës ka ndodhur një tragjedi dhe Komuna e dënon këtë rast dhe kërkon nga organet e ndjekjes që sa më parë të zbulohen shkaqet e tjera të vrasjes dhe autori të marrë dënimin e merituar”, është shprehur ai, duke pranuar që faj për çfarë ka ndodhur, kanë edhe rojat e objektit. Kjo është vrasja e dytë e një zyrtari të lartë të Komunës së Prishtinës. Para dhjetë vjetësh, ishte vrarë edhe arkitekti Rexhep Luci, në atë kohë, drejtor i Drejtoratit të Urbanizimit.
Mbyllen shkollat
Në shenjë proteste, Komuna e Prishtinës ka ndërprerë procesin mësimor në të gjitha shkollat e Prishtinës. “Janë duke u bërë hapat e tjerë që drejtori i Drejtorisë së Arsimit i Komunës së Prishtinës të përcillet në kushte ashtu siç e meriton. Sa u përket motiveve, presin hetimet nga organet e policisë, nuk kemi shumë informata zyrtare që ndërlidhen me rastin”, ka thënë Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës.
Sulm mbi institucionet
Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet një komunikate ka dënuar vrasjen e drejtorit të Arsimit Komunës së Prishtinës, Remzi Salihu, të cilin e quan një sulm të rëndë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe cenim i rëndë i integritetit të zyrtarit institucional në vendin e tij të punës. Qeveria kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat adekuate që kryesit e këtij akti kriminal sa më shpejt të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Lajm tronditës
Aktin e vrasjes së drejtorit Salihu e ka dënuar edhe Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë. “Ky lajm na tronditi pa masë, sepse Remzi Salihu ishte një zë i fuqishëm dhe bashkëpunëtor i devotshëm në të gjitha proceset që janë zhvilluar për vite me radhë në arsimin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e MASHT-it duke shtuar se kontributi i tij për arsimin në përgjithësi do të çmohet dhe do të respektohet nga të gjithë.
Ditë zie në Prishtinë
Me rastin e vrasjes së Remzi Salihut, drejtor të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa mbajtën një mbledhje e jashtëzakonshme me rastin e vrasjes se Remzi Salihut. Në këtë mbledhje nga të pranishëm njëzëri u dënua ashpër akti barbar i vrasjes së Remzi Salihut, në vendin e tij të punës. Gjithashtu në këtë mbledhje u vendos që sot me 4 tetor 2011, të shpallet ditë zie, në Komunën e Prishtinës, me rastin e vrasjes së Remzi Salihut, dhe flamuri shtetëror të vendoset në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet e Komunës së Prishtinës, si dhe nesër nuk do të punohet në Komunën e Prishtinës dhe në të gjitha institucionet shkollore.
Shqetësohet Ombudspersoni
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi është shprehur jashtëzakonisht i shqetësuar lidhur me rastin e vrasjes së drejtorit për Arsim në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu. Ai vlerësoi se ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti i vrasjes në vend të punës. Ai vlerësoi se ky rast dhe raste të tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit, siç ishin vrasjet e të rinjve në Pejë, njëra para dy muajsh e tjetra para dy javësh, vrasja e para dhjetë ditëve në Prishtinë, rasti i vrasjes dhe plagosjes së babës me djalin e tij, ditën e shtunë në Xërxë, janë tregues të një gjendje të brishtë të sigurisë publike në vend.