Krasniqi: Brezat e mëhershëm nuk u flijuan për privilegje

Në shënimin e Ditës së Dëshmorëve të Kombit të komunës së Istogut, organizuar nën patronazhin e kryetarit të kësaj komune, mori pjesë edhe kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi.
“Kemi ardhur të nderojmë dëshmorët e rënë dhe familjarët e dëshmorëve, sepse kemi obligim njerëzor, jo vetëm në këto raste, për të kujtuar rrugën nëpër të cilën kemi ecur”, tha Krasniqi.
“Brezat nuk kursyen asgjë për vendin e vet, për lirinë dhe drejtësinë shoqërore. Brezat e më hershëm nuk u flijuan për privilegje, por për ndërtimin e një shoqërie ku sundon ligji”, tha ai, dhe bëri thirrje për ndërtimin e një shoqërie me mundësi të barabarta. “Brezat kanë luftuar për shtet të drejtë dhe të ligjshëm, kanë luftuar për demokraci, për mundësi të barabarta për të jetuar, shkolluar dhe për ta ngritur familjen e vet dhe kombin. Ky ka qenë dhe ka mbetur ideali i luftëtarëve të lirisë, i cili na ka sjellë sot këtu”.
Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi së bashku me nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Haliti, vunë kurorë lulesh pranë lapidarit të 53 dëshmorëve të kësaj komune, njoftoi Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun./Indeksonline/