E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK e VV kritikojnë shitjen e PTK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur se ka qenë kundër paracaktimit të çmimit për PTK –në në vlerë prej 300 milion Euro, që u bë në fomrën me naive nga ana e Qeverisë në buxhetin e vitit 2011, kjo fundosi pritjet e kujtdo për një çmim më meritor të këtij aseti.

“Vetëm 277 milion Euro për 75% të aksioneve të PTK-së, kompania e cila vetëm në 5 vitet e fundit ka kontribuar në buxhetin e shtetit me mbi 320 milion Euro?” shprehet LDK.

LDK vlerëson se ky privatizim ka qenë i shtyer nga presionet fiskale që ka Qeveria e Kosovës, e jo i bazuar në objektiva strategjike për të maksimizuar vlerën e shitur dhe përmirësuar shërbimet për qytetarë.
LDK shton se “Qeveria po shet PTK-në për të paguar faturat e Bechtelit dh shpenzimet e saj operative”.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje! është shprehur krejtësisht kundër procesit të privatizimit të PTK-së
“Ishin qytetarët që nënshkruan peticionin për kundërshtimin e privatizimit të PTK-së. Ishin Sindikatat që kundërshtuan këtë proces nga fillimi. Në vend se të organizohej referendum për një pasuri të tillë, Qeveria vazhdoj këtë proces edhe me faktin se kishte vetëm dy ofertues, dhe duke ditur se kompania e shpallur fituese nuk është kompani e telekomunikacionit por është kompani e ofrimit të kapitalit dhe tërheqjes së fitimit”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.

Kjo lëvizje ka folur edhe për pjesën se për çfarë do të shfrytëzohen këto mjete.

“Ky privatizim bëhet edhe më i paarsyeshëm kur e dijmë faktin se të hyrat nga kjo shitje do të përdoren për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup dhe kompaninë Bechtel-Enka e cila veçse ka filluar të mendojë për projektin e ardhshëm në Kosovë. Me 277 milionë euro dhe me tarifat trefish të Bechtel-Enkës, do të ndërtohen 25 kilometra rrugë. Pra, PTK-në duan ta shesin për 25 kilometra asfalt, Asfalt, sepse kjo Qeveri tjetër gjë nuk di. Asfalt, sepse mundësia e përfitimit personal të qeverisë është më e larta në asfalt”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

VV është zotuar se do ta kundërshtojë këtë proces.
“Lëvizja Vetëvendosje! do ta kundërshtojë këtë proces deri në fund. I ftojmë të gjithë qytetarët, grupet politike e shoqërore në bashkërendim të aktiviteteve për të parandaluar këtë proces të dëmshëm për qytetarin e Kosovës”, përfundon kjo komunikatë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›